Arbër Zeneli u rikthye nga lëndimi në barazimin e Stade de Reims pa gola me Montpellier të dielën, dhe thotë se ndihet i mllefosur që skuadra e tij nuk ia doli t’i marrë tri pikët e plota në Mosson Stadium.
Përfaqësuesi i Kosovës Zeneli ka pasur një sezon 2021/22 për t’u harruar dhe tejet dëshpërues, për shkak të një lëndimi të gjatë të gjurit dhe u rikthye vetëm në pjesën e fundit të sezonit.
27-vjeçari u fut në lojë nga stoli pas pushimit mes pjesëve dhe i zhvilloi 45 minuta të mirë për vizitorët, megjithëse nuk ia doli ta thyejë akullin për fitoren e shumëkërkuar të Reims.
Ai e zgjodhi rrjetin social Instagram për ta shprehur pakënaqësinë me rezultatin, duke thënë: “I mllefosur që s’i morëm të tri pikët por na presim javë të rëndësishme me ndeshje të mëdha në vazhdim”.
Zeneli ishte ndër më të mirën në fushë për Reims për aq sa luajti dhe u votua si i dyti më i miri nga tifozët e skuadrës së vet.
Reims renditet në vendin e 13-të në tabelën e Ligue 1 me 37 pikë, tetë pikë larg zonës së rënies nga liga kur kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ndeshje deri në përfundim të sezonit.
Kjo ishte vetëm paraqitja e katërt e Zenelit për Reims në Ligue 1 këtë sezon, prej të cilave vetëm një e ka bërë si titullar. Në përgjithësi, anësori i lindur në Suedi i ka zhvilluar vetëm 146 minuta futboll në ligë këtë sezon.
Në fakt, Zeneli ishte kthyer nga lëndimi në shkurt dhe i kishte bërë tri paraqitje radhazi, para se të mungonte sërish në tri ndeshje radhazi para takimit me Montpellier.
Zeneli vjen një lëndim i rëndë verë ne vitit të kaluar, kur i kishte këputur ligamentet e gjurit në ndeshjen përgatitëse të parasezonit ndaj Auxerre. Ky lëndim, i cili ishte përsëritje e një lëndimi të mëparshëm, e detyroi t’i nënshtrohej operacionit menjëherë.
Si pasojë e këtyre lëndimeve, Zeneli – dikur lojtari më i mirë i Kosovës – nuk ia doli t’i ndihmojë as kombëtares në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës vitin e kaluar dhe mungoi edhe në miqësoret e marsit nën udhëheqjen e trajnerit të ri Alain Giresse.
Megjithatë, tani kur duket se është riaftësuar plotësisht dhe e ka lënë mbrapa lëndimin, Zeneli do të shpresojë të jetë në gjendje t’i ndihmojë vendit të vet në qershor kur Kosova e nis edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.
Kosova do ta ketë një orar mjaft të ngjeshur, si pjesë e Ligës C, ajo do t’i zhvillojë katër ndeshje brenda një hapësire të shkurtër kohore prej 10 ditëve.
Verdhekaltrit janë në Grupin 2 bashkë me Irlandën Veriore, Qipron dhe Greqinë.