Nafta “djeg” xhepat/ Berisha: Përgjysmim urgjent i taksave dhe kompensim për qytetarët e biznesin e vogël

albnews
By
3 Min Read

Kryetari i Sali Berisha ka kërkuar përgjysmim urgjent të taksave mbi naftën, duke e cilësuar nivelin aktual të ngarkesës fiskale si ndër më të lartët në botë. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se çmimi i naftës në Shqipëri rëndohet ndjeshëm nga taksat, të cilat sipas tij arrijnë deri në 60% të vlerës së shitjes.

Berisha u shpreh se ulja e menjëhershme e kësaj barre fiskale është e domosdoshme për të lehtësuar qytetarët dhe për të amortizuar efektet e rritjes së çmimeve.

Ai propozoi që taksimi i naftës të sillet në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ku sipas tij çmimi është rreth 50% më i ulët.

Sipas tij, çdo ndërhyrje tjetër përveç uljes së taksave është e paefektshme dhe favorizon vetëm arkën e shtetit. Berisha theksoi se nga rritja e çmimit të naftës, qeveria ka përfituar rreth 80 milionë euro në vit, por këto të ardhura nuk janë shpërndarë për qytetarët apo shtresat në nevojë.

PJESE NGA FJALA

Në këtë kuadër, është e domosdoshme së pari dhe njëherë përgjysmimi i ngarkesës fiskale, ose ulja e ngarkesës fiskale për litrin e naftës në nivelin e vendeve përreth, në nivelin që e ka sot Maqedonia dhe Kosova, nivel që është pothuajse 50 përqind më i ulët se sa në Shqipëri.
Çdo manovër tjetër është absolutisht inefikase dhe është totalisht në favor të arkës së qeverisë.
Gjer sot qeveria nuk ka asnjë ulje sepse ka vendosur nivelin 220, por problemi është se nga rritja e çmimit të naftës nga 170 në 220, qeveria akumulon rreth 80 milionë euro në vit.
Asnjë qindarkë e tyre nuk është shpërndarë as për pensionistët, as për qytetarët.
Kështu që krahas përgjysmimit të nivelit të taksimit të litrit të naftës, e domosdoshme kjo, nuk ka një vend në botë, nuk ekziston asnjë vend tjetër në botë që të ketë taksuar litrin e naftës 60 përqind të çmimit me të cilin shitet.
Ky është niveli më i lartë në botë i taksave për litrin e naftës.
Prandaj ulja me urgjencë e kësaj barre fiskale është e domosdoshme për të parandaluar sadopak, për të amortizuar sadopak pasojat shumë të rënda të efekteve të rritjes së çmimit të naftës.
Përveç kësaj, është e domosdoshme që shtresat në nevojë, bizneset e vogla të marrin kompensimin e tyre për rritjen e çmimit të naftës, një kompensim i cili i mbron, u jep mundësive pensionistëve të vazhdojnë jetën e tyre dhe u jep mundësi bizneseve të vogla që të përballojnë rritjen e çmimeve, të mos falimentojnë.

Share This Article