Namazi i Kurban Bajramit nuk do të falet në asnjë xhami të Kosovës, bëri të ditur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Myftiu Naim Tërnava, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë, tha se për shkak të gjendjes së rënduar si pasojë e koronavirusit, është marrë vendim që Kurban Bajrami të mos falet në xhami.
“Bashkësia Islame e Kosovës lajmëron të gjithë besimtarët e Republikës së Kosovës se nesër pezullohet falja e namazit të Bajramit dhe për dhjetë ditë rresht pezullohen faljet, ritet nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës. Sigurisht, me qëllimin e vetëm: të ruhet shëndeti publik i të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Tërnava.
Sipas tij, ky është një “vendim i dhimbshëm” për Bashkësinë Islame të Kosovës, mirëpo “i duhur”.
“Kemi prioritetin edhe ne si BIK që të ruajmë shëndetin publik të qytetarëve, sepse kështu na mëson Kurani”, tha Tërnava.
Këtë vendim, i pari i BIK-ut e bëri publik pasi i uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, e cila në shumicën e vendeve sivjet nis më 31 korrik.
“Si asnjë festë tjetër, festa e Bajramit shoqërohet me vizita te familja, farefisnia e miqësia, kështu që duhet kultivuar e praktikuar, mirëpo jo edhe kësaj radhe. Andaj, ju ftoj të gjithëve që, për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit, t’i shmangim vizitat, të shmangim përshëndetjen tradicionale të Bajramit me dorë e përqafime, si dhe t’i shmangim tubimet e shumë njerëzve, qoftë në ambiente të hapura apo të mbyllura”, tha Tërnava.
“Ta festojmë Bajramin, duke lutur Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi], të prekurve t’iu japë shërim sa më të shpejtë, ndërsa neve na mbetet që të kujdesemi që ta parandalojmë në mënyrë sa më të organizuar e më këmbëngulëse përhapjen e këtij virusi. Vëllezër e motra, kudo që jeni, duke ju uruar për festën e madhe të Bajramit, lus Zotin për shëndet, harmoni në familjet tuaja”, u shpreh Tërnava.
Qeveria e Kosovës, më 28 korrik, mori vendim për disa masa të reja, që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Në mesin e tyre është edhe ndalimi i “pjesëmarrjes fizike të qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Ditëve të fundit, numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka qenë i lartë.
Rekordi u regjistrua të hënën, me 276 raste.
Në total, Kosova ka konfirmuar deri më 29 korrik 7,846 raste pozitive.
Prej tyre, 196 pacientë kanë vdekur dhe 4,267 janë shëruar.