Në vitin 1993, Fatos Nano në cilësinë e kryetarit të opozitës në atë kohë nën drejtimin e PS, u arrestua për akuzat e korrupsionit. Ende sot e kësaj dite, Nano fajëson Sali Berishën për burgosjen e tij.
Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Nano ka akuzuar direkt Berishën duke thënë se është marrë personalisht me burgosjen e tij. Fatos Nano e konsideron Sali Berishën në fillimet e tij si një intelektual kur hyri në politikë, e që më pas u bë politikan, ose siç e konsideron ai “kafshë politike”.
Duke komentuar ngjarjen e 21 Janarit 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Fatos Nano thotë se pas këtij momenti, Sali Berisha pushoi së qeni edhe politikan.
“Do përpiqem të jem i drejtë dhe i sinqertë. Sali Berisha hyri në politikë si intelektual. Pra, intelektual humanist, mjek kardiolog. Në momentin që mori drejtimin e PD, ai u bë politikan. E them këtë gjë sepse intelektuali dhe politikani me kalimin e kohës i lënë vendin njëri-tjetrit. Janë të rralla rastet kur politikani mbetet aq intelektual sa duhet. Më pas ai ka mbikëqyrur që nga idea e parë që hodhi vetë deri në realizim, deri në atëherë kur ra shteti në ’97, burgosjen dhe mbajtjen time në burg. Është marrë ‘in persona’ me këtë gjë.
Berisha thotë shumë gjëra për shumë gjëra, përfshirë dhe 21 Janarin, por unë kam të dhënat e kohës, të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dëshmitar në zyrën e tij kur ai është marrë ‘in persona’ me mbajtjen time në burg. Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike. Politikanët janë kafshë politike. Dhe kur marrin vendime të tilla nuk mund të mos u thuash kafshë politike.
Në 21 Janar, ai mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive popullore. Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 Janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër…. që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital” – tha Nano.

