Napoli ndalet nga Verona, Lazio e shkatërron Salernitanan

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Napoli i Amir Rrahmanit është ndalur nga Hellas Verona me një barazim 1:1 në Diego Armando Maradona, ndërkohë që Lazio e ka mposhtur bindshëm 3:0 Salernitanan, në një ndeshje ku Vedat Muriqi ishte zëvendësues i papërdorur.

Giovanni Simeone e kishte kaluar Veronën në epërsi në minutën e 13-të, por Giovanni Di Lorenzo e barazoi rezultatin pesë minuta më vonë për barazimin e dytë të Napolit këtë sezon të dielën.

Kapiteni i Kosovës Rrahmani luajti titullar si gjithmonë, por skuadra napolitane ishte pa partnerin e tij në mbrojtje, Kalidou Koulibaly që mungoi shkaku i kartonit të kuq.

Ky ishte barazimi i dytë për skuadrën e Luciano Spallettit, e cila vijon të mbetet e pamposhtur këtë sezon në Serie A.

Napoli është lider tani me 32 pikë nga 12 ndeshje, një më shumë se Milani, i cili do të përballet me Interin në derbin e Milanos sonte më vonë.

Verona është e 12-ta me 16 pikë.

Ndërkohë, Lazio e shkatërroi ekipin e promovuar në Salernitana, falë golave nga Ciro Immobile, Pedro dhe Luis Alberto.

Sulmuesi i Kosovës Muriqi, i cili e ka bërë vetëm një ndeshje si titullar për skuadrën e Mauricio Sarrit këtë sezon në ligë, e ngrohi stolin e Stadiumit Olimpik të dielën.

Kjo ishte ndeshja e pestë nga 12 këtë sezon për Muriqin si zëvendësues i papërdorur.

Prizrenasi i ka bërë shtatë paraqitje për Lazion këtë sezon në Serie A, apo 120 minuta në përgjithësi.

Lazio është në vendin e pestë në Serie A me 21 pikë, një më pak se vendi i katërt Atalanta dhe dy më shumë se rivali Roma.

Share This Article