Teksti dhe fotografitë: Mehmet Biber (reportazh i botuar në revistën National Geographic – vëll. 158, nr. 4, fq. 530-557, viti 1980 – me titull: Albania, alone against the world)
Aeroplani i vogël që fluturonte mbi Jugosllavi, u kthye drejt jugut, doli mbi ngjyrën prej kobalti të Adriatikut, e pasi u kthye përsëri 90 gradë, mori drejtimin drejt tokës – Shqipërisë.
Në antikitet, legjionet e Romës që zbrisnin poshtë nga Rruga e Apias, për tek taka e Italisë në Brindisi, kaluan ngushticën e Otrantos, zbarkuan këtu dhe pastaj marshuan drejt Lindjes, në autostradën e madhe të luftës drejt Selanikut e Kostandinopojës.
Gotët dhe normanët e pushtuan këtë vend. Bizantinët, bullgarët, serbët dhe venedikasit ndërruan pushtetet me njeri-tjetrin. Pastaj turqit osmanë qeverisën për 500 vjet dhe e kthyen Shqipërinë në të vetmin vend në Evropë me shumicë myslimane. Pastaj erdhën ushtritë e Mussolinit dhe Hitlerit.

Sot, asnjë autostradë ndërkombëtare nuk lidhet me Shqipërinë. 300 kilometrat e hekurudhës së saj nuk kalojnë asnjë kufi. Asnjë aeroplan i huaj nuk lejohet të fluturojë mbi hapësirën e saj ajrore. Fluturimet komerciale gjysmë bosh si ky i yni, që bëhen njëherë në dy javë nga Beogradi, duhet të kalojnë vetëm nga deti dhe vetëm në orët e ditës.
I hodha sytë rreth kabinës së aeroplanit, për të parë atë dorë pasagjerësh që udhëtonte me mua – një grua e vjetër, një profesor austriak studiues i gjuhës shqipe (që ka vetëm lidhje të largëta me gjuhët e tjera evropiane) dhe biznesmenë që vinin për të blerë minerale ose, për të shitur makineri.
Nuk e dija se në ç’grup futesha unë, në përshkrimin për vizitorët e huaj të përcaktuar nga diktatori i Shqipërisë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Ai kishte deklaruar që vendi i tij ishte “i mbyllur për armiqtë, spiunët, hipitë dhe huliganët, por ishte i hapur për miqtë (marksistë, ose jo marksistë), për revolucionarët dhe demokratët përparimtarë dhe për turistët e ndershëm … që nuk fusin hundët në punët tona”.
Mbase përcaktimi më me vend ishte ai i një agjenti tregtar: “Vetëm të krisurit, diplomatët dhe gazetarët, udhëtojnë për në Shqipëri”. Unë isha gazetar turk, dhe kisha pritur për mbi një vit që viza ime të aprovohej.

Kaluam bregun e detit dhe po fluturonim mbi fushën bregdetare të Durrësit dhe përtej kodrave të tarracuara; pashë në horizont një linjë të gjatë malesh të dhëmbëzuar mbuluar nga mjegulla, që ngjanin si një elektrokardiogram gjigant. Ndërkohë vrisja mendjen, se çfarë do të gjeja në këtë vend të vogël me 2.7 milionë banorë, me madhësinë e Merilendit, dhe që njihej po aq pak sa Tibeti.
Për mijëra vjet, pasardhësit e fiseve të lashtë, të quajtur ilirë, janë ngulur në këto vise shkëmbore të Ballkanit – që në turqisht do të thotë “malet”. Mes majave që ngrihen deri në 2,764 metra, ato ndoqën një kod klanor të pandryshuar, që fshiu nga faqja e dheut familje të tëra, nëpër gjakmarrje që zgjasnin për breza të tërë.
Sot, Toka e Shqipeve është e gjitha e kooperativizuar. Kalaja e fundit e stalinizmit; ai është vendi komunist më dogmatik në Evropë, i mbërthyer nën grushtin e hekurt të një udhëheqësi i cili e nxori vendin më të prapambetur të kontinentit, prej hirit të Luftës së Dytë Botërore, në rrugën drejt modernizimit, nga zejtaria dhe qiriri te fabrikat dhe dinamoja.
Këtu unë mund të shoh një eksperiment të pazakontë social: një gjeneratë të tërë që po rritet e vulosur brenda një laboratori socialist të linjës së ashpër, sfiduese ndaj botës, i vetizoluar dhe i painfektuar nga Lindja apo Perëndimi. Pa mëndje fërkova mjekrën (goatee – lloj mjekre me majë si cjap) dhe u shtanga papritur kur më shkoi ndër mend mendimi se mund edhe ta humbja!

Shqipëria e ndalon hyrjen e burrave me flokë të gjatë ose me mjekër, grave me fustane të shkurtër, pantallona kauboj apo shenja të tjera të borgjezisë dekadente. Tregimet për vizitorë që i kishin mbledhur tufë e i kishin shpënë te berberi i aeroportit, për t’i rruar e qethur, nuk ishin të rralla.
Por, polici që më ndaloi te dera e avionit, e kishte më shumë mendjen te pasaporta, sesa te mjekra ime, dhe unë zbrita nën diellin e mesditës së një dite shtatori, në një nga aeroportet më të vegjël e të përgjumur të Evropës, ku hijezonin palmat dhe portokallët e rënduara nga frutat.
Kopi Kyçyku më përshëndeti në turqisht. Anëtar i zyrës së Pritjes, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, do t’i sillte çdo mëngjes shoqëruesit – përkthyesit tim – planin e lëvizjeve të mia ditore
Të punosh për shtetin
“Plani”. Kjo frazë duket sikur ngjall respekt dhe frikë, sa herë që përdoret. Në fakt, në një vend kaq dogmatik sa Shqipëria, fjala “plan”, është e shenjtë.
Plani është bazuar mbi pronësinë e shtetit. Çdo dyqan, restorant dhe kioskë, i takon shtetit …! Çdo shofer taksie, berber, kamerier, bukëpjekës dhe artist punon për shtetin. Fshatarët punojnë ose në fermat shtetërore ose në kooperativat po ashtu shtetërore.

Duke ardhur nga një Turqi ku inflacioni është problemi kryesor, unë gjej një tërheqje të pamohueshme në disa aspekte të ekonomisë shqiptare. S’ka taksë mbi të ardhurat. S’ka inflacion. S’është e varur nga burime të jashtme energjie.
Dhe, për sa kohë që çdo gjë është e kontrolluar nga shteti, s’ka ngritje çmimesh – por, as rritje rrogash. Punëtorët e fabrikave dhe fshatarët, marrin 600-700 lekë në muaj; një profesor universiteti merr rreth 1,000. Rrogat kanë një tavan që shkon deri në 1m200 lekë, përveç zyrtarëve të lartë.
Me standardet perëndimore, rrogat janë të ulëta, por kështu janë edhe shumë nga çmimet. Kilja e mishit është midis 12 e 18 lekë, buka katër lekë dhe një paket cigaresh vendase është dy lekë. Veshja e ngushton pak ekonominë e familjes. Unë pashë kostume burrash të bëra në Shqipëri, që kushtonin sa rroga e një muaji dhe të cilat unë nuk do t’i blija …!
Këpucët janë 100 lekë, bluzat 500 – por, cilësia është shumë e dobët. Plani i lejon Shqipërisë të importoje deri në 250 milionë dollarë dhe ato janë kryesisht makineri, pjesë këmbimi dhe lëndë të para që duhet të balancohen nga eksportet.

Shqipëria i mban qiratë e ulëta – zakonisht jo më shume se pesë për qind e të ardhurave familjare. Por, zyrtarët e pranojnë se ka mungesë apartamentesh, veçanërisht për çiftet e sapomartuar. Shërbimi shëndetësor dhe edukimi janë pa pagesë dhe shqiptarët shpenzojnë pak për transport dhe zbavitje. Tirana ofron pak argëtim: pak teatro, filma ideologjikë, opera dhe programe folklorike, por jo klube nate që qelben erë nga degjenerimi borgjez.
Tirana ka më shumë restorante se qytetet e tjera, por të paktë janë ata që mund ta përballojnë të hanë jashtë shpesh. Në Tiranë, një djalë mund të shkojë me të dashurën e tij në një park, nëse e lejon koha, ose për të parë një film me temën e preferuar të Luftës Nacionalçlirimtare.

Sami Kohen u ndodh njëherë në një mbrëmje vallëzimi të organizuar nga një ndërmarrje në Pallatin e Kulturës. Çiftet e reja hidhnin shtruar hapat e vallëzimit me ca fokstrote dhe tango të vjetra që luheshin nga një orkestër amatore. Disiplina dhe qetësia mbizotëronin.
Ne fakt “Revolucioni Kulturor” shqiptar i jep tonin sjelljes dhe paraqitjes së rinisë. Jo vetëm flokët e gjata e minifundet, por edhe blu-xhinset, pantallonat e ngushta dhe tualeti janë tabu. S’ka drogë, seks para martesës, barsoleta të ndyra apo çamçakëzë. Muzika rok dhe xhaz janë të ndaluara.
Vizitorët e huaj zakonisht i shtyjnë mbrëmjet në barin e Hotel “Dajti”-t, në tavernë. “Përveç koktejeve dhe mbrëmjeve në Ambasadë, zor se e gjen ndonjë vend ku të shkosh, ndonjë gjë që mund të bësh apo njeri që të këmbesh një llaf”, më tha një diplomat i ri perëndimor, që vinte nga një post i mëparshëm në Paris.
Unë e shfrytëzova këtë rast për të mësuar diçka më shumë mbi “rrënjët” e dyshimeve të Shqipërisë ndaj botës së jashtme.

“Po të kisha qenë shqiptar, edhe unë do të isha bërë dyshues”, vazhdoi diplomati. “Gjatë gjithë historisë, fqinjët kanë dashur të rrëmbenin diçka prej tyre: Serbia, Mali i zi, dhe Greqia kanë zhvatur copa të mëdha nga territori shqiptar. Mos harro që 1.5 milion shqiptarë jetojnë sot në Jugosllavi, shifër kjo sa gjysma e popullsisë që jeton në atdheun mëmë. Prej 70 vjetësh, Greqia kërkon Epirin e Veriut, që është Shqipëria e Jugut. Ndërkohë që diplomatët perëndimorë përdridhnin gishtat, Mussolini marshoi përpara dhe e pushtoi të gjithë vendin më 1939. Më vonë Tito donte ta bënte republikë të shtatë Jugosllave. Një histori si kjo, lë plagë të thella”.
Shqipëria sot nuk ka marrëdhënie diplomatike me ShBA-në, Anglinë dhe Gjermaninë Perëndimore. A do të funksionoje kjo politikë tani që ato janë shkëputur edhe nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina?

“SHhA-ja është një superfuqi imperialiste, që është po aq kërcënuese për ne, sa edhe social-imperializmi sovjetik apo revizionizmi kinez”, një zyrtar i vjetër i Ministrisë së Jashtme i kishte thënë Sami Kohenit. “Amerikanët na bënë oferta pasi ne u prishëm me Kinën, por ne nuk duam të kemi të bëjmë fare me ta”.
“Anglia na ka akoma të bllokuar një sasi ari në vlerë 40 milionë dollarë, që na është marrë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjermania refuzon të na paguajë dëmet e Luftës, që arrijnë në 4.5 miliardë dollarë. Ne nuk do të lidhim marrëdhënie diplomatike me asnjë nga këto vende, pa na dhënë më parë paratë”.

E ardhmja duket e pandryshuar
Shqipëria e sotme është prerë sipas imazhit të Enver Hoxhës, tashme 70-vjeçar. Çfarë do të ndodhë pas tij? Botuesit të revistës humoristike Hosteni, (Niko Nikollës, shënimi ynë), unë i kujtova ndryshimet që ndodhën në Rusi pas vdekjes së Stalinit dhe në Kinë pas vdekjes së Maos. A kishte ndonjë mundësi që Shqipëria të zbutej disi pas vdekjes së Hoxhës?
“Ti na krahason ne me ato vende revizioniste”, mu përgjigj ai me një fytyrë të vrenjtur. “Jo, asgjë nuk do të ndodhe pas vdekjes së shokut Enver. Partia dhe populli janë të bashkuar fort me njeri-tjetrin. Mësimet e tij ne na tregojnë rrugën e drejtë. Dhe, ne, nuk do t’i shmangemi asaj”.

Më shume se sa drejt hapjes ndaj botës së huaj, shqiptarët e vetizoluar, e kanë mendjen te lufta. Përveç dy vjetëve shërbimi ushtarak, të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën, pavarësisht profesionit, duhet të shërbejnë një muaj në vit në Forcat e Armatosura. Përgatitje të shpeshta ushtarake në fabrika, ferma e zyra, e përgatisin popullatën për rast lufte.
Kudo që unë udhëtova – në bregdet, shtigje malore, fusha, parqe qyteti apo midis blloqeve të apartamenteve – ngriheshin bunkerë për mbrojtjen civile. Ato duken – dhe mbijnë – si kërpudhat, siç është edhe emri i tyre në gjuhën popullore. “Më shumë hekur e beton harxhohet për bunkerët, sesa për apartamentet”, më tha një diplomat i huaj.
Unë e di që Enver Hoxha ishte i shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë, pas vdekjes së Titos – dhe i tmerrohej një pushtimi Sovjetik. Por, a ishte Shqipëria vërtet e kërcënuar?
“Ne duhet të përgatitemi për më të keqen”, më tha një gazetar shqiptar. Por, a mundet vallë Shqipëria t’i qëndrojë dot sulmit të një fuqie të madhe”?!

Armatimi shqiptar, kryesisht kinez, është i vjetruar dhe një vëzhgues diplomatik më tha se ka të ngjarë që shqiptarët të jenë duke kërkuar për armë në Evropë.
“Edhe sikur armiku të jetë më i shumtë në numër, ne mund t’i ndalojmë ato. Malet dhe lumenjtë tanë e bëjnë Shqipërinë një fortesë natyrore. Çdo sulm do t’u kushtojë armiqve, shumë shtrenjtë”.
Më erdhën ndërmend shtëpitë prej guri të Gjirokastrës dhe të qyteteve të tjera malore; mure pa dritare poshtë dhe me frëngji sipër – çdo shtëpi si kala, një trashëgimi e shekujve mbushur me gjakmarrje. Mu kujtua kështjella e shekullit XV në Krujë, nga e cila Skënderbeu udhëhoqi për 25 vjet një luftë guerile kundër Perandorisë Osmane.
Gjergj Kastrioti, i dërguar ende fëmijë si peng në Oborrin e Sulltanit, ai arriti shkallë të larta në komandën e ushtrisë otomane. Me një emër të ri për nder të Aleksandrit të Madh (Iskander Bej, në turqisht) të cilin turqit e admironin, Skënderbeu bashkoi dhe udhëhoqi 300 kalorës shqiptarë për të marrë mbrapsht trashëgiminë që i takonte.
Ai jetoi si një simbol i rezistencës. Dhe, nën flamurin e Skënderbeut – shqiponjë e zezë me dy koka, mbi një fushë të kuqe si gjaku – partizanët shqiptarë farkëtuan Shqipërinë e sotme të pavarur.
Shteti ndalon “opiumin për popullin”
Shiu e kishte bërë gri Liqenin e Shkodrës dhe i kishte mbështjellë si qefin Alpet e Veriut që vigjilojnë mbi kufirin me Malin e Zi. Përgjatë shtratit të liqenit që është i lundrueshëm deri në Detin Adriatik, shtrihet Shkodra, kryeqyteti i vjetër i Ilirisë.
Mbi të, si një klloçkë që e mbron, ngrihet një kështjellë mesjetare që të sjell ndërmend mjeshtrit venedikas. Në një nga parqet është ngritur një monument për të nderuar pesë partizanë që sakrifikuan vetveten, duke ndalur 300 pushtues nazistë …! (?!) Pranë këtij monumenti gjendej edhe Muzeu i Ateizmit që më çuan ta vizitoja.

Nën sloganin e Marksit, “Feja është opium për popullin”, drejtori, një tip i ftohtë, me zë të ashpër dhe i veshur në gri, më tha se feja e kishte penguar gjithmonë pavarësinë e Shqipërisë.
Meqë turqit e identifikonin kombësinë me përkatësinë fetare, myslimanët shqiptarë (gati 70 për qind e popullsisë) konsideroheshin si turq. Kristianët ortodoksë (rreth 20 për qind) quheshin grekë dhe katolikët quheshin latinë.
Shërbimet fetare nuk bëheshin në gjuhën shqipe, e cila ishte e ndaluar dhe nuk kishte as edhe një alfabet të vetin, deri më 1908, por bëheshin në tri gjuhë të huaja: arabisht, greqisht dhe latinisht.
Regjimi i Hoxhës e ekzekutoi klerin, i dërgoi nëpër kampe përqendrimi ose i vuri të bëjnë “punë prodhuese”. Vendet e tjera komuniste u përpoqën ta përkulin fenë; Shqipëria e ndaloi atë, duke u vetëdeklaruar më 1967 si “shteti i parë ateist në botë”.
Çdonjëra nga 2,169 xhamitë, kishat, manastiret dhe qendrat e tjera të “obskurantizmit dhe misticizmit”, u mbyllën, u fshinë nga faqja e dheut ose u transformuan në palestra, klinika, magazina apo stalla. Katedralja e Madhe e Shkodrës sot tundet nga britmat e 2,000 tifozëve të basketbollit.
Brezi i ri i Shqipërisë, njeh vetëm ateizmin. Besimi në Marksizëm-leninizëm ka zëvendësuar besimin fetar. Librat e Enver Hoxhës të publikuar në gazeta, të transmetuar ne radio e televizion, të qëmtuar për slogane shërbejnë si Testamenti i Ri. Hoxha nderohet si Mesia – pafundësisht i zgjuar, largpamës e dashamirës, por edhe i pamëshirshëm ndaj armiqve të tij.

Udhëheqësi i ngritur ne qiell
Duke jetuar i ndarë nga të tjerët në një zonë të ruajtur ushtarakisht në anë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhe duke lëvizur me një “Mercedes” me perde, Enver Hoxha është i kudondodhur.
Portreti i tij shikon poshtë nga çdo mur, bile edhe nga kamionët e traktorët. Emri i tij është gdhendur mbi faqet e maleve, me germa dhjetëra metra të gjata. Në vendlindjen e tij – një shtëpi dykatëshe në Gjirokastër – është vend pelegrinazhi kombëtar.
Mjeshtër i vetëruajtjes staliniste, Hoxha, likuidoi pa mëshirë të gjithë opozitën e tij në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.Elita revolucionare, e bindur që natyra njerëzore mund të riformohet me anë të indoktrinimit të vazhdueshëm, i ka vënë si qëllim vetes që të farkëtojë një qytetar shqiptar të ri, i cili pa bërë asnjë pyetje do të jetë gati të bëjë çdo sakrificë në luftën e atdheut kundra “rrethimit të egër imperialisto-revizionist”, që të ndërtojë një shoqëri socialiste të çliruar nga herezitë e individualizmit, mendimit të pavarur ose moralit të huaj.
Ndërkohë që lufton për të rimodeluar qytetaret e tij, ky vend i vogël, njëherë e një kohë një vend i prapambetur, tani ai ka bërë hap impresionues drejt zhvillimit.
Merr si shembull Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, të quajtur “Çeliku i Partisë”; hidrocentralin e Fierzë të quajtur “Drita e Partisë”; numrin prej 700 mijë nxënësve, krahasuar me 56 mijë në vitin 1938; dy stacione radioje në vitin 1945, që në dy dekada shkuan 52; mesatarja e jetës që thuajse është dyfishuar në katër dekada – janë padyshim arritje të konsiderueshme.

Regjimi gjithashtu po përpiqet që ta shkulë nga rrënjët strukturën klanore patriarkale, që ka qenë struktura e vetme shoqërore në malësinë e ashpër shqiptare. Ai po i zhduk gjakmarrjet që deri në vitin 1920 ishin përgjegjëse për vdekjen e një në katër meshkujve shqiptare. Ai e ka ndrydhur gjakmarrjen, për tradhti bashkëshortore. (Tradita e malësisë i jepte burrit të drejtën që ta vriste gruan e përdale dhe dashnorin e saj; familja e gruas, në një aprovim ritual, e dërgonte nusen me fishek në pajë.) Reformistët i ndaluan martesat që në djep, shitjen e vajzave 12-vjeçare në martesë dhe i sulmuan zakonet që i prangosnin gratë, tradicionalisht të konsideruara “flokëgjatë e mendjeshkurtra” në një rol inferior.
Asnjë cep i jetës shqiptare nuk i ka shpëtuar manisë së Enver Hoxhës për kontroll. Njerëzit me emra “të papërshtatshëm ose fyes”, sipas pikëpamjes politike, ideologjike apo morale, janë të detyruar t’i ndërrojnë ato. As edhe të vdekurit nuk i kanë shpëtuar manisë së Hoxhës për reformim. Varrimet, të paguara nga shteti, bëhen në varreza të përbashkëta, pa ndarje fetare.
Ktheje mbrapsht monedhën shkëlqyese të luftës kundër analfabetizmit dhe do të shohësh anën e errët të kontrollit të vazhdueshme të mendimit, sepse Drejtoria e Agjitacion Propagandës vendos se çfarë librash shqiptarët duhet të lexojnë, ashtu siç është shteti ai që vendos se kush duhet të punojë ku, kush do të shpërblehet e kush do të dënohet.
Shoqëria vigjilente mbyll dyert e saj
Dora e pamëshirshme e historisë ka ngulitur në mendjen e shqiptarëve, se me sakrifica të mëdha mund të ecin përpara. Pas tri javëve në Shqipëri, unë kuptova sesa i vogël isha për të depërtuar në murin e fortë të këtij eksperimenti social.
Asnjëherë në udhëtimet e mia rreth botës, s’kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur, saqë u ndjeva sikur të isha në një shkretëtirë.

I shoqëruar dhe kontrolluar vazhdimisht ndjeva se me makinën e verdhë me të cilën lëvizja, shikohesha si një shpërndarës i shpejtë i lebrës. Shoqëruesi im, Bashkim Babani, qëndronte gjithmonë pas meje, për të parë se çfarë do të regjistronte telekamera ime.
Ai më lejonte të fotografoja nga jashtë ndërtesat industriale, por jo t’i vëzhgoja ato në brendësi. Hidrocentralet gjithashtu nuk mund t’i vizitoja.
Te një punishte më dhanë raki për të pirë, por nuk më lejuan të shihja si prodhohej. Kërkesat e mia për të vizituar familje dhe shtëpi, ishin politikisht të ndaluara dhe nuk u morën asnjëherë parasysh. Asnjë fotografi të bunkerëve, gomarëve, sigurisht asgjë primitive.
Por, Bashkimi kurrë nuk më ndaloi që të bëja dublime të kartolinave shqiptare. Një qytetar i ndaluar në hyrjen e Teatrit të Kukullave në Tiranë, mbeti i fokusuar në aparatin tim. Bashkimi më hodhi poshtë çdo shpresë, për të fotografuar një ceremoni martesore.
Qeveria nuk lejon që të paraqiten festimet tradicionale. Nuk pashë rrugëve ndonjë qen apo mace, simbole të luksit borgjez. Një herë pata një bisedë në turqisht me një vendës. Bashkimi menjëherë ndryshoi bisedën në shqip dhe përktheu përgjigjet me zhargone të zakonshme partiake. Nuk munda të kuptoj mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe miqësor, siç janë shumica e shqiptarëve.

Vetëm një herë pata mundësi të shikoja thyerjen e këtij zakoni, kur në një fermë afër Shkodrës, një adoleshent mu afrua duke më tundur para fytyrës me forcë një slogan kundër të huajve. U mundova mjaft që t’i jepja një rrjedhë më intime bisedës, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll me gruan dhe djalin.
Por, ai kurrë nuk më dha mundësinë të krijoja një ide mbi jetën dhe mendimet e tij private. Në të vërtetë, ai dukej se kishte maskën që gjithë kombi i tij mbante veshur me krenari. As muret qe ai i kishte ngritur rreth vetes, nuk munda që t’i kaloja. Ai ishte gjithmonë korrekt dhe i sjellshëm, ashtu si edhe shumica e shqiptarëve.
Vetëm një herë hasa një të çarë në mikpritjen shqiptare – kur një djalë i ri që mblidhte rrush në një fermë në Shkodër, qëndroi para meje dhe më bërtiti në fytyrë me një slogan kundra të huajve.
Unë u përpoqa të krijoja një atmosferë familjare, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll, për gruan dhe djalin, por ai, ashtu si edhe Enver Hoxha nga “Mercedesi”, kurrë nuk e ngriti perden që na ndante, për të me lejuar qoftë edhe për një sekondë që të shihja mendimet e tij personale.
Dukej se ai e kishte bërë tërësisht pjesë të tijën atë lloj qëndrimi dhe atë maskë që edhe kombi i tij mban në fytyrë, në një mënyrë aq sfiduese.
/Përkthimi: Shqiptari i Italisë/