Në 74-vjetorin e themelimit, aleanca ushtarake më e fuqishme në botë pranoi zyrtarisht anëtarin e saj të 31. Finlanda ngre flamurin e saj në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, në një ceremoni ku të pranishëm ishin zyrtarë të ndryshëm mes të cilëve; sekretari i përgjithshëm i aleancës veri-atlantike, Jens Stoltenberg, presidenti finlandez, Sauli Niinisto dhe sekretari i departamentit amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Anëtarësimi i Finlandës është një goditje për Rusinë e Vladimir Putin, i cili vazhdimisht është ankuar për zgjerimin e NATO-s përpara se të niste një tentativë për pushtimin e plotë të Ukrainës. Tashmë vija ndarëse kufitare mes NATO-s dhe Rusisë është dyfishuar, me Finlandën që ndan një kufi prej 1 mijë e 340 kilometrash me shtetin e Putinit.
Sakaq, aplikimi i Suedisë për anëtarësim në aleancën ushtarake ke mbetur peng i çështjeve të pazgjidhura të këtij shtetit me Turqinë. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg shprehu bindjen se ngërçi do të tejkalohet, ndërsa i prezantoi Finlandës përfitimet që merr nga anëtarësimi, përfshirë mbrojtjen nga çdo sulm apo cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial përmes artikullit pesë.
“Sot është një ditë historike, pasi mirëpresim Finlandën si anëtarin e 31 të aleancës tonë. Kjo do ta bëjë Finlandën më të sigurt dhe NATO-n më të fuqishme. Ky shtet do të bëhet zyrtarisht një vend anëtar me të drejta të plota. Sigurisht që tashmë do të marrë pjesë si vend anëtar në të gjitha takimet dhe aktivitetet e NATO-s dhe komandot dhe strukturat ushtarake si dhe në të gjitha strukturat civile e ushtarake të NATO-s.
Sigurisht që më e rëndësishmja është se duke u bërë vend anëtar, Finlanda do të marrë një garanci të hekurt sigurie. Artikulli Pesë, klauzola jonë e mbrojtjes së përbashkët, një për të gjithë dhe të gjithë për një, nga sot do të aplikohet edhe për Finlandën”, tha Stoltenberg.