Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka shprehur entuziazmin e saj për të punuar ngushtë me Peter Sorensen, i cili është emëruar Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun.
Në një postim në platformën X, Hart theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së për të siguruar stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“NATO mezi pret të punojë ngushtë me Peter Sorensen si Përfaqësues i ri Special i BE-së për dialogun. Vazhdimi i bashkëpunimit NATO-BE është çelësi për ruajtjen e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” ka shkruar ajo në postimin e saj.
Më herët gjatë ditës, i dërguari në shkuarje i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është takuar me pasardhësin e tij, dhe janë duke u siguruar që tranzicioni të ndodhë sa më lehtë që është e mundur.
Lajçak ka qenë në pozitën e ndërmjetësuesit për pesë vjet.
Përgjatë mandatit të tij është arritur Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj.
Po të martën, emërimin e Sorensenit në pozitën e ndërmjetësuesit, e ka përshëndetur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se pret qasje balancuese ndaj palëve, si parakusht për proces të suksesshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së.
Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.