NATO-ja të premten shprehu shqetësim për planet e Rusisë që të kufizohet qasja në disa pjesë të Detit të Zi dhe në Ngushticën e Kerçit.
“Kjo do të ishte një lëvizje e pajustifikueshme dhe pjesë e një vargu më të gjerë të sjelljeve destabilizuese nga Rusia”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një deklarate.
Ajo i bëri thirrje Rusisë që të sigurojë qasje të lirë në portet ukrainase në Detin Azov dhe të lejojë liri të lundrimit, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Lungescu tha se Rusia e ka shtuar praninë e saj ushtarake në Gadishullin e aneksuar ilegalisht të Krimesë dhe përreth tij që nga koha e aneksimit më 2014.
“Aleatët e NATO-s nuk e njohin dhe nuk do ta njohin aneksimin ilegal të Krimesë”, shtoi zyrtarja e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.
Rusia i ka ngritur tensionet me Ukrainën ditëve të fundit për shkak të grumbullimit të ushtrisë afër kufirit mes dy vendeve dhe dërgimit të makinerisë së rëndë ushtarake atje. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Rusisë që t’i tërheqë trupat, duke e cilësuar këtë veprim si shqetësues.