Ish-pronari i ekipit të Formula 1, Jordan, Eddie Jordan, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, siç ka konfirmuar familja e tij, shkruan A2 CNN. Jordan, i cili në dhjetor kishte zbuluar se ishte diagnostikuar me kancer të prostatës dhe fshikëzës së urinës, u nda nga jeta në orët e para të 20 marsit 2025, i rrethuar nga familjarët e tij në Cape Town.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Eddie Jordan OBE, ish-pronari i ekipit të Formula 1, analist televiziv dhe sipërmarrës. Ai ishte plot karizëm, energji dhe me një sharm të veçantë irlandez. Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh, por kujtimet e tij do të na bëjnë të buzëqeshim edhe në pikëllim”, thuhet në deklaratën e familjes së tij.

Ekipi i Jordan-it mori pjesë në 250 gara nga viti 1991 deri më 2005, duke fituar katër herë. Një nga momentet kulmore të karrierës së tij ishte triumfi i Damon Hill dhe Ralf Schumacher në Belgjikë në 1998. Ai gjithashtu i dha Michael Schumacher-it mundësinë e tij të parë në Formula 1 në vitin 1991, duke ndihmuar në formimin e një prej pilotëve më të suksesshëm në histori.

Damon Hill, kampioni i botës në vitin 1996, e përshkroi Jordanin si “një njeri kaotik dhe gjenial në të njëjtën kohë”. Ai shtoi: “Eddie kishte energjinë e 100 burrave dhe la një gjurmë të pashlyeshme në sport. Ai nuk kishte frikë nga asgjë dhe krijoi shumë gëzim për ata që e rrethonin”.
Jordan shiti ekipin e tij në vitin 2005 dhe u rikthye si analist televiziv, fillimisht për BBC dhe më vonë për Channel 4. Ai gjithashtu ishte pjesë e emisionit “Top Gear” për një periudhë të shkurtër.
Stefano Domenicali, drejtori ekzekutiv i Formula 1, tha: “Jemi të pikëlluar nga humbja e papritur e Eddie Jordan. Ai ishte një personazh i veçantë me energji të pashtershme. Do të na mungojë shumë”.