Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Tomor Malasi, ka ndërruar jetë një ditë më parë në moshën 87-vjeçare. Ai ka drejtuar Bashkinë e Tiranës pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në vitin 1991, ku qëndroi për një vit rresht.
Pas rrëzimit të diktaturës komuniste në dhjetor të vitit 1990, u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste më 31 mars të vitit 1991. Kuvendi i parë pluralist i dalë nga këto zgjedhje, vendosi në shtator të po atij viti, që kryetari i bashkisë së qytetit të caktohej nga partia që kishte fituar shumicën e mandateve të deputetëve në secilin qytet.
Partia Demokratike fitoi shumicën e mandateve të deputetëve në qytetet kryesore të Shqipërisë. Tirana ishte qyteti ku PD arriti fitoren më të thellë në këto zgjedhje.
Bazuar në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i bashkisë së Tiranës u caktua nga PD, zoti Tomor Malasi. Ai e la bashkinë për të marrë mandatin e deputetit një vit më vonë ku qëndroi deri në vitin 1996, kohë kur mbajti edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Pas zgjedhjeve të vitit 1996, Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish Presidenti Berisha të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.