Ka vdekur në moshën 84 vjeçare ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright.
Lajmin për vdekjen e saj e ka dhënë vetëm para pak çastesh tabloidi CNN.
Raportohej se tash e një kohë ajo po përballej me sëmundjen e kancerit.
Kujtojmë se e ndjera ishte sekretarja e parë grua në ShBA, ndërsa për kosovarët njihet si një nga personazhet që ka kontribuar më së shumti, para, gjatë dhe pas luftës.
Ajo lindi më 15 Maj 1937, ndërsa përgjatë viteve 1997 – 2001 ushtroi detyrën e sekretares, kur president i ShBA-ve ishte Bill Clinton.
Kujtojmë se Albright e ka vizituar dy herë Kosovën. Herën e parë më 2005, kurse të dytën para gati tre viteve, saktësisht më 2019. Më 2005, mbajti edhe një fjalim në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit në nderim të saj.
“Së bashku ne u betuam se në Kosovë kurrë më nuk do të vinin natën njerëzit me pushkë; kurrë më nuk do të digjeshin shtëpi dhe fshatra, kurrë më nuk do të kishte terror dhe varreza masive. Kurrë më nuk do të ketë njerëz në Kosovë që jetojnë në frikë”, pati thënë Albright mes tjerash në adresimin e saj para deputetëve kosovarë më 2005.
Familja e saj në momentin e kumtimit të lajmit të dhimbshëm, shtoi se në çastet e fundit të jetës ishte e rrethuar nga familjarët e ngushtë.
“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë që ka mbajtur atë postë, sot ka ndërruar jetë. Ajo kishte kancer”, shkruan në njoftimin e familjes në rrjetet sociale.