Kantautori i mirënjohur italian Toto Cutugno, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.
Lajmin e ka dhënë menaxheri i tij, i cili ka njoftuar se Cutugno është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë.
Legjenda e muzikës italiane, do të mbahet mend mes të tjerave edhe për këngën e famshme L’italiano. Gjithashtu në karrierën e tij ai ka shënuar suksese të shumta, duke fituar një Festival të Sanremos dhe duke u renditur i dyti në gjashtë raste të tjera.
Për ndarjen nga jeta të Toto Cutugnos ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një postim në Facebook shkruan: “Ishe një Italian i madh, i vërtet, duhej të takoheshim këtë verë në Valona por Zoti vendosi të të lë të prehesh në paqe, ndërsa me ne këngët e tua mbeten të regjistruara përgjithmonë në zemrat e shumë shqiptarëve 🇦🇱💔🇮🇹 Faleminderit për gjithçka Toto Cutugno ishte privilegj të jetoja njëkohësisht me një legjendë si ti🙏”.
Toto Cutugno, pseudonimi i Salvatore Cutugno, ishte një nga zërat më ikonë të muzikës italiane. Artisti, i lindur më 7 korrik 1943 në Fosdinovo, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë muzikore italiane dhe ndërkombëtare, me mbi 100 milionë kopje të shitura dhe hite të suksesshme që janë ngjitur në top lista.