Sot është ndarë nga jeta kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla.
Memolla ka ndërruar jetë në moshën 52-vjeçare si pasojë e një infarkti. Ai ka qenë në qytetin e Peshkopisë për të parë ndeshjen Korabi-Egnatia.
Memolla është ndarë nga jeta pas një infarkti teksa konsumonte kafe në një nga lokalet pranë stadiumit.
Menjëherë ai është dërguar në spitalin e Peshkopisë, por nuk ka mundur që të mbijetojë duke u ndarë nga jeta në moshën 52-vjeçare.
Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj i shprehu ngushëllime familjes me fjalë të ndjera për humbjen e mikut të tij të dashur.
“Pa
fjalë nga ikja e papritur dhe e parakohshme nga jeta e Haxhiut!
Humbëm sot një mik të dashur. Ngushëllimet më të ndjera familjes. U prehsh në
paqe, Haxhi”, thotë Ahmetaj.
Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherazi zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës Haxhi Memolla. “U prehtë në paqe shpirti yt i mirë”, shprehet Spiropali.
Edhe Alfred Peza, sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat i ka shprehur ngushëllimet familjes.
“Jam pa
fjalë për lajmin e pabesueshëm, se miku im Haxhi Memolla, kryetari i bashkisë
së Rrogozhinës është ndarë në mënyrë të papritur nga jeta.
Është një humbje e jashtëzakonshme për familjen e tij të mrekullueshme, të
afërmit dhe bashkëpunëtorët. Do na mungojë urtësia, humanizmi dhe dashuria e
tij për qytetin dhe qytetarët.Të qoftë i lehtë dheu vëlla dhe qofsh i
Parajsës”, thotë Peza.
Klubi i Futbollit të qytetit të Peshkopisë, Korabi i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të kryebashkiakut të Rrogozhinës Haxhi Memolla për ndarjen nga jeta të tij pas një infarkti teksa konsumonte kafe në një nga lokalet pranë stadiumit.
“I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe qytetarëve të bashkisë Rrogozhinë, për humbjen e kryetarit të bashkisë, Haxhi Memolla i cili u nda nga jeta pas një infarkti ndërkohë që po konsumonte një kafe në një nga lokalet e qytetit të Peshkopisë”, thuhet në faqen zyrtare të Klubit të Futbollit të Korabit.
Memolla u zgjodh kryetar i bashkisë së Rrogozhinës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019./ATSH/