Shuhet në moshën 94-vjeçare Sulejman Maliqati, “Macja e Zezë” i futbollit shqiptar, Heroi i Lajpcigut, mbrojtësi i sigurtë i portës së Partizanit dhe kombëtares shqiptare, në periudhën 1950-1964.
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Kombit”, futbollist, trajner, kuadër i edukimit fizik, baba i dhëmbshur, bashkëshort i përkushtuar, gjysh ideal, shok dhe mik gati i të gjithë shqiptarëve. Kështu do të kujtohet Sulejman Maliqati.
Para pesë ditësh, Maliqati është rrëzuar dhe është dëmtuar rëndë. Me gjithë përkujdesjen e mjekëve, ai nuk mundi t’i përballonte dëmtimet dhe nuk mbijetoi.
Durrësi, por dhe gjithë bota e sportit, do t’i japin nesër lamtumirën për në banesën e fundit, Sulejman Maliqatit, portierit legjendar të kombëtares shqiptare.
Homazhet për 94-vjeçarin që mbylli sytë pasditen e kësaj të mërkure do të zhvillohen në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës, në orën 13.00-15.00.
Kortezhi mortor do të niset në orën 15.00 drejt varrezave të qytetit, ndërkohë që pritet që qindra qytetarë t’i bashkohen homazheve për “macen e zezë” të portës së kombëtares shqiptare, që lindi më 1 gusht 1928 në qytetin e Kavajës.
Dy vite më parë, Maliqati u nderua nga Presidenti Meta me titullin e lartë “Nderi i kombit”, ndërkohë që për kontributin e dhënë ndër vite në sportin e futbollit portieri legjendar është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Kavajës dhe “Mjeshtër i merituar i sportit”.