Policia në Maqedoni të Veriut ka ndaluar 16 të dyshuar, pjesëtarë të grupit të tifozëve “Komiti”, për përdorim të gjuhës së urrejtjes, saktësisht për thirrje anti-shqiptare.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në koordinim me Prokurorin Publik janë duke i ndjekur të dyshuarit në rastin e djeshëm në “Gjorçe Petrov” dhe një javë më parë në qendër të Shkupit.
Grupi i tifozëve maqedonas “Komiti” me thirrjen e zakonshme “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” ka provokuar një grup dasmorësh shqiptarë, raporton “Alsat-M”.
“Bëhet fjalë për dy raste për të cilat do të bëhen kallëzime penale. Janë vërtetuar identitetet e pjesëmarrësve në këto raste, janë thirrur në bisedë informative, janë kryer ato intervistimet me ta. Konkretisht për rastin e djeshëm, janë ndaluar 16 persona dhe po ndërmerren të gjitha veprimet shtesë me qëllim që të zbardhet rasti. MPB ka zero tolerancë për veprime të këtilla, kështu që do të punohet në mënyrë intensive deri sa të sanksionohen të njëjtit”, tha Suzana Praniq, Zëdhënëse e MPB-së.