Politikanë e zyrtarë të lartë dhanë mesazhe për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.
Ruçi: Mishërim i vlerave më të larta të ushtarakut
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.
“Me trishtim të thellë mora vesh lajmin nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar. Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në Luftën Çlirimtare si pjestar i rinisë antifashiste”, shkruan Ruçi.
“Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar. Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lirinë dhe atdheun”, thekson Ruçi.
“Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Balla: Kontribut në mbrojtje të idealit të luftës për liri
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryetarit të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, Rustem Peçi.
Balla shprehet se Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.
Sipas Ballës, Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ.
“U prehsh në paqe miku ynë i vyer Rustem Peçi, Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ! Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar. Edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen. Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ”, u shpreh Balla.