Nisja e seancës së sotme plenare ka qenë e shoqëruar me tensione, teksa kryedemokrati Sali Berisha ka kritikuar mazhorancës për dokumentin zyrtar që Kuvendi i Shqipërisë prodhoi të premten, ku mes figurave kombëtare nderon edhe diktatorin Enver Hoxha.
Fillimisht ishte kreu i Kuvendit, Niko Peleshi që sqaroi çështjen duke thënë se ka lindur një keqkuptim.
“Dua të shpreh ndjesë dhe keqardhje për keqkuptimin e krijuar. Teksti ishte informativ, jo të mbrojë apo vlerësojë dikë. Teksti është nxjerrë pa interpretim, Enver Hoxha është përmendur vetëm me ditëlindje. I kërkova Institutit parlamentar një rishikim të plotë që të shmanget çdo keqinterpretim”, tha Peleshi.
Por Berisha nuk ra aspak dakord me sqarimin që bëri kreu i Kuvendit. “Ti e hape parlamentin me një apologji hipokrite. Enver Hoxhën e fute ti në agjendë me urdhër të Ramës. Nuk është gabim i librarisë, por ka një ligj. Është një ligj që dënon propagandën për diktaturën e Enver Hoxhës. Si mund të futet ai në Kuvend? Po të futej Hitleri në Bundestag? Ça do të ndodhte? Në prill të 1991, samiti i IDU-së e ka quajtur Hitler, Enver Hoxhën. Si mund të futet ai?”, tha ai.
Në një dokument të cilësuar ‘informativ’ për deputetët me titullin “figurat kombëtare”, dërguar nga zyra e Institutit Parlamentar në e-mailin e 140 deputetëve të Kuvendit, Enver Hoxha përshkruhet si “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, ndërsa në biografi përmendet si udhëheqës i shtetit shqiptar, i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës.