Kosova nderoi me çmimin “Doctor Honoris Causa” ish-ambasadorin William Walker. Titulli iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne të organizuara nga Universiteti I Pejës “Haxhi Zeka” me këtë motivacion: “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.
Lidhur me vlerësimin, ish shefi I misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vitet 1998-1999, tha se është një ndër çmimet më të rëndësishme që kishte marrë gjatë jetës. Pjesë e ceremonisë ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë emrin e Walker pasi falë raportimeve të tij për situatën në vitin ‘99 bëri që NATO të ndërhyjë në ndihmë të Kosovës.
Gjatë një interviste për Kosova Press, diplomati amerikan tregon se si I kishte shpëtuar një atentati të një polici serbe, duke thënë se nëse ai do të kishte vdekur, bota nuk do të dëgjonte kurrë për masakrën e Reçakut dhe se ngjarjet për Kosovën do të kishin një tjetër rrjedhë.
“Një ditë para masakrës së Reçakut, ne patëm një incident këtu, në rrugë, ku disa policë serbë, besoj policë nga Beogradi, patëm një incident të vogël, dhe truprojat e mia të sigurisë, të gjithë të rinj kosovarë, djem të rinj, ata menduan se panë një nga këta policët serbë të vinte kundër meje me granatë dore, unë nuk pashë një granatë dore, por më futën në një makinë të blinduar, më çuan në zyrë, unë insistova të kthehesha në rrugë këtu ku ishte banesa ime dhe fola me disa policë, policë serbë, dhe ata nuk dolën me përgjigje shumë të mira për atë se çfarë kishte ndodhur, kërkova të takohesha me komandantin e tyre dhe më në fund takova komandantin, dhe sipas Millosheviqit, siguria ime ishte përgjegjësi e qeverisë së Serbisë, dhe unë thashë, mirë, një nga policët tuaj, mendohet se më ka ardhur me një granatë dore, dhe nuk e di nëse është e vërtetë, por kur u përpoqa të hetoja dhe të zbuloja se çfarë kishte ndodhur, mora përgjigje qesharake”, kujtoi ai gjatë ceremonisë.