Analisti i njohur i çështjeve euroaziatike dhe Ballkanit, Janusz Bugajski, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-drejtori në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj, i cili ka shprehur dhimbje të thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij të afërt.
‘Jam i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Janusz Bugajski. Ai ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, autor i shumë veprave që ndikuan ndjeshëm në kuptimin tonë për rajonin, si dhe një mbrojtës i palëkundur i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe lirisë së shtypit’, ka shkruar Biberaj.
Ai kujtoi bashkëpunimin shumëvjeçar me Bugajskin në projekte të ndryshme, veçanërisht në ato që kishin të bënin me Ballkanin.
‘E admirova jo vetëm për intelektin e tij, por edhe për integritetin, humorin dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj vlerave që i çmonte. Mungesa e tij do të ndihet thellë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta njihnim dhe të punonim me të. Do të më mungojë jashtëzakonisht shumë. U prehtë në paqe, Janusz’, përfundon mesazhi i Biberajt.