Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare, Papa Benedikti XVI, thuajse një dekadë pasi dha dorëheqjen nga posti si kreu i Kishës Katolike për shkak të moshës së thyer.
Ai udhëhoqi Kishën Katolike për më pak se 8 vite, duke nisur nga viti 2013 dhe u bë Papa i parë që jepte dorëheqjen që prej Papa Gregori XII në vitin 1415.
Ai i kaloi vitet e fundit në Manasitirin “Mater Ecclesiae” brenda mureve të Vatikanit. Pasuesi i tij, Papa Françesku, tha se e vizitonte shpesh atje.
Edhe pse kishte qenë i sëmurë prej disa vitesh, Selia e Shenjtë tha në ditët e fundit se gjendja e tij ishte rënduar për shkak të moshës. Të mërkurën, edhe Papa Françesku bëri thirrje për një lutje të veçantë për Benediktin, i cili mbante titullin “Emeritus” pas dorëheqjes.
I lindur në Gjermani, Joseph Ratzinger ishte 78 vjeç kur në 2005-n u zgjodh në krye të Kishës Katolike, ndër më te vjetrit që merrte këtë detyrë. Gjatë papatit të tij, Kisha Katolike u përball me shumë akuza dhe pretendime për abuzime të priftërinjve me fëmijët në vende të ndryshme të botës. Në fillim të këtij viti Benedikti XVI pranoi se ishin bërë gabime, edhe gjatë rasteve të abuzimeve në Gjermani kur ai kishte shërbyer si Arqipeshkvi i Mynihut në periudhën 1977-1992.