Të paktën 49 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e zjarrit të rënë në një ndërtesë banimi në qytetin Mangaf të Kuvajtit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e vendit.
Sipas informacioneve paraprake, shumë nga viktimat kanë qenë punëtorë të huaj që jetonin në atë banesë. Zëvendëskryeministri, Sheikh Fahad Yusuf-al-Sabah akuzoi pronarët e ndërtesës teksa tha se shkeljet e standardeve të ndërtimit kishin çuar në këtë tragjedi.
“Për fat të keq, lakmia e pronarëve të pronave është ajo që çoi në këtë tragjedi. Ky është rezultat i atyre që shkelin rregulloren”, tha ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, gjeneralmajor Eid al-Oweihan tha për televizionin shtetëror se zjarri tanimë është nën kontroll dhe përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë. Sipas BBC News, ndërtesa kishte 196 punëtorë dhe ka raportime që në momentin e rënies së zjarrit ka qenë e mbipopulluar.
“Dhjetëra u shpëtuan, por fatkeqësisht pati shumë vdekje si pasojë e thithjes së tymit nga zjarri”, tha ai, duke shtuar se shpeshherë jepen paralajmërime për mbipopullim në këtë lloj akomodimi.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje për vendet e origjinës së punëtorëve apo natyrën e punësimit të tyre. Dy të tretat e popullsisë së Kuvajtit përbëhet nga punëtorë të huaj dhe vendi është shumë i varur nga puna e emigrantëve, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe atë të brendshëm. Ndërkohë që grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur rregullisht shqetësime për kushtet e tyre të jetesës.