Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, ka ngecur në procesin e shpronësimit të tokës. Nga gjithsej 68 prona nëpër të cilat kalon traseja, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, ka arritur të lidhë vetëm tre marrëveshje për shpronësimin e tokës dhe të nxjerrë 8 vendime.
Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Zoran Kitanov nuk pranoi të përgjigjet para kamerës së Alsat-it, deri ku është ndërtimi i autostradës së paralajmëruar prej kohësh. Kështu që nga ky institucion shtetëror morëm përgjigje vetëm me shkrim. Sipas tyre, situata aktuale me virusin korona ka shkaktuar një ngadalësim të këtij aktiviteti, por në terren po bëhen përgatitjet për ndërtimin e rrugës.
Makineritë e ndërtimit duhej të fillonin me punë në muajin mars, pasi në fund të vitit të kaluar, u nënshkrua një marrëveshje me kompaninë e ndërtimit Granit. Sidoqoftë, për të filluar ndërtimin, duhet të bëhet shpronësimi i parcelave të tjera të banorëve të fshatit Bllacë. Përpjekja e parë e pushtetarëve u prit me revoltë te qytetarët që dolën në protestë shkaku i çmimit qesharak siç thonë ata, që ua ka ofruar shteti. Në vend të çmimit që flitej më herët, se do të ishte midis 10 dhe 50 euro, shteti u ofroi atyre vetëm 3 euro për të blerë parcelat. Mesazhi i fundit që Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ua dërgoi në atë kohë banorëve ishte se ata që nuk janë të kënaqur të ankohen lirshëm në gjykatë.
Premtimi për ndërtimin e kësaj autostrade ishte një premtim parazgjedhor i BDI-së, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2016. Vlera e parashikuar e autostradës është 110 milion euro, që do të sigurohen me kredi dhe grante nga BERZH-i dhe buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët e Shtetit. Autostrada ka rëndësi strategjike për shkëmbimin tregtar mes Kosovës dhe Maqedonisë, sepse koha e udhëtimit shkurtohet nga 2 orë në 45 minuta./Alsat/