Ndonëse mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, RTSH nuk arriti ta blejë të drejtën e transmetimit të përballjes së Kombëtares me Islandën.
Ndeshja e luajtur më 6 qershor, në kuadër të Ligës së Kombeve, u transmetua nga Digitalb, një platformë me pagesë që arriti të shtrihet përtej kategorisë “Free to air”.
MCN TV mëson detaje të marrëveshjes që siguroi Digitalb. Ky i fundit mësohet se i bleu nga UEFA të drejtat e Kombëtares për kategorinë “free to air”, së bashku me kategorinë “pay per view”.
Kjo i dha mundësinë Digitalbit për të rikuperuar një pjesë të shpenzimeve duke nxjerrë në shitje pjesën free-to-air.
RTSH nuk ia doli t’i blinte këto të drejta për shumën prej 1.1 milion dollarë, gjë që arriti ta bënte TV KLAN, për një çmim që mbetet i panjohur.
Më herët, RTSH ka blerë ndeshjet e kombëtares kuqezi, të cilat janë transmetuar pa pagesë në televizionin publik.
Duhet theksuar po ashtu që RTSH si i vetmi televizion publik ka si mision transmetimin e eventeve të tilla, kombëtare.
Por kësaj here, RTSH dështoi si në tenderin për ndeshjet e Ligës së Kombeve, edhe në negocimin me fituesin e garës për të marrë prej tij të drejtat për transmetimet pa pagesë.