ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Netflix blen studiot e Warner Bross për 72 miliardë dollarë 13 hours ago
Hidhet shorti i Botërorit 2026, Anglia në grupin e ‘vdekjes’ 14 hours ago
Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në rast kualifikimi në Kupën e Botës 2026 14 hours ago
Shorti/ Iu ka shënuar Curri, zbulohen rivalët e mundshëm të Shqipërisë në Botëror. Ja ndarja finale e grupeve 14 hours ago
SHBA ultimatum Europës: Merrni kontrollin e NATO-s deri në vitin 2027 15 hours ago
Next
Prev
Home Bota

Ndikimi rus, sfidë e përbashkët e Malit të Zi dhe Moldavisë

albnews by albnews
6 December, 2025
in Bota
0
Ndikimi rus, sfidë e përbashkët e Malit të Zi dhe Moldavisë
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

Kudo që ekziston hapësirë për destabilizim, Rusia do ta shfrytëzojë atë, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë analisti i Qendrës së Forenzikës Digjitale të Malit të Zi (DFC), Drashko Jabuçanin.

Nga DFC-ja, në analizën e fundit lidhur me ndikimin rus, kanë tërhequr vëmendjen mbi strategjinë e shtetit ndaj vendeve që ndodhen në faza të ndryshme të integrimeve euroatlantike. Veçanërisht kanë theksuar ngjashmëritë në rastin e Malit të Zi dhe Moldavisë.

RelatedPosts

Inteligjenca artificiale mund të  krijojë pandemi

Shkelet armëpushimi, shpërthejnë përleshjet e armatosura mes Pakistanit dhe Afganistanit

Netflix blen studiot e Warner Bross për 72 miliardë dollarë

“Ballkani Perëndimor dhe Moldavia në strategjinë ruse të destabilizimit shërbejnë të njëjtit qëllim: t’i tregojnë Perëndimit se levat e pushtetit dhe ndikimit janë ende në duart e Kremlinit, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit politik”, theksoi Jabuçanin.

Rusia ndodhet që pothuajse katër vjet nën sanksione, pasi nisi pushtimin e Ukrainës fqinje.

Pavarësisht se cili shtet ka qenë në shënjestër gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Moska, sipas tij, përdor të njëjtat metoda për të ndikuar mbi proceset demokratike, para së gjithash përmes dezinformatave, organizatave fetare dhe shërbimeve sekrete.

Nga Ambasada e Rusisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse qëllimi i tyre është dobësimi i kursit proevropian të Malit të Zi, komprometimi i institucioneve dhe krijimi i një atmosfere të paqëndrueshmërisë politike.

Ambasadori i Rusisë së fundmi ka akuzuar autoritetet për armiqësi ndaj Moskës.

Paralele zgjedhore

Në Moldavi, në shtator të vitit 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat u panë si vendim kyç i këtij shteti të Evropës Lindore për të zgjedhur mes Brukselit dhe Moskës.

Një javë para zgjedhjeve, autoritetet moldaviane arrestuan dhjetëra persona nën dyshimin për përgatitjen e trazirave masive. Shumica e tyre rezultoi se ishin trajnuar në Serbi.

Hetimi tregoi se shërbimet ruse të sigurisë kishin organizuar në Serbi një kamp për trajnim special të shtetasve moldavianë dhe rumunë, nën pretekstin e një pelegrinazhi fetar.

Instruktorët i kishin mësuar ata me taktika për trazira në rrugë, thyerje të kordonëve policorë dhe përdorim të armëve.

“Qëllimi kryesor i operacionit rus të para-inteligjencës ishte nxitja e rrëmujës dhe trazirave në rast të fitores së shumicës proevropiane në zgjedhjet në Moldavi”.

Fitore bindëse në këto zgjedhje shënoi partia proevropiane e presidentes, Maia Sandu.

Këto zgjedhje në DFC janë krahasuar me tentativën për “grusht shteti” në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 në Mal të Zi.

Taktikat e protestave të dhunshme dhe mjetet speciale të planifikuara në Moldavi janë identike me ato të përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi në rastin e njohur si grusht shteti i vitit 2016, theksoi DFC-ja.

Të pandehurit kishin synuar që në ditën e zgjedhjeve parlamentare të shkaktonin trazira, përplasje me policinë dhe të pengonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Për organizimin dhe financimin e operacionit janë akuzuar agjentët rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov.

Në mesin e të akuzuarve janë tetë shtetas serbë dhe tre malazezë, ndër ta edhe kryetari aktual i Kuvendit, Andrija Mandiq, dhe deputeti Millan Knezheviq.

Gjykata Supreme fillimisht i dënoi me burg, ndërsa në rigjykim i liroi ata. Vendimi nuk është ende i formës së prerë.

“Serbia si qendra kryesore për aktivitetet e GRU-së”

Edhe në rastin e Moldavisë në vitin 2025, edhe në atë të Malit të Zi më 2016, është evidentuar aktivitet i agjentëve të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU, me qëllim destabilizimin e shtetit përmes nxitjes së trazirave, financimit të strukturave kriminale dhe protestave të dhunshme, theksoi DFC-ja.

“Në të dy rastet, Serbia ka shërbyer si qendra kryesore për aktivitetet e para-inteligjencës të GRU-së. Ndër provat për aktivitetet e planifikuara të paligjshme në Mal të Zi janë fotografi, incizime, uniforma, pranimet direkte dhe para të sekuestruara në shumën prej 125 mijë eurosh, gjë që është konfirmuar nga organet hetimore serbe”.

Pika e përbashkët nuk është vetëm veprimi taktik i operativëve në terren, por edhe faza e integrimit në të cilën ndodheshin të dy shtetet.

Mali i Zi në vitin 2016 ishte në prag të anëtarësimit në NATO, ndërsa zgjedhjet në Moldavi në vitin 2025 ishin kyç për integrimin në të ardhmen të këtij shteti në Bashkimin Evropian.

“Skenari moldavian”

Në DFC paralajmëruan se në Mal të Zi që nga viti 2020 po krijohen kushtet për një skenar potencialisht moldavian, i cili ka për qëllim dobësimin e kursit proevropian të shtetit dhe krijimin e paqëndrueshmërisë politike, që i shkon për shtati interesave të Rusisë.

“Instrumentalizimi i partive proruse, infiltrimi i komunitetit fetar në sferën politike, fushata e fuqishme propagandistike përmes mediave dhe rrjeteve sociale proruse, si dhe nxitja e ndasive shoqërore e etnike, pa dyshim pasqyrohen edhe në kontekstin malazez”, u tha në analizën e DFC-së.

Në vitin 2020 u rrëzua nga pushteti pas 30 vjetësh Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit dhe pushtetin e mori një koalicion që përbëhej nga partitë proserbe dhe proruse të Frontit Demokratik dhe Demokratëve.

Qeveria e Malit të Zi synon që deri në fund të vitit të ardhshëm të mbyllë të gjitha kapitujt negociues dhe në vitin 2028 të bëhet anëtare e BE-së. Një vit para kësaj pritet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Ndikimi përmes Kishës Moldavisë dhe Kishës Ortodokse Serbe

DFC ka vërejtur paralelizëm edhe në veprimet e kishës.

Në rastin e zgjedhjeve të fundit moldaviane të mbajtura në shtator të vitit 2025, rol kyç në përhapjen e propagandës antievropiane patën priftërinjtë e Kishës Ortodokse të Moldavisë.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se priftërinjtë në Moldavi një vit para zgjedhjeve shkuan në pelegrinazhe të paguara në Rusi dhe më pas, pas kthimit në Moldavi, morën fonde për themelimin e dhjetëra kanaleve në Telegram, përmes të cilave paralajmëruan për rreziqet nga aspiratat evropiane të autoriteteve moldaviane.

Narrativi i përbashkët ishte “lufta për vlerat tradicionale” nën pretekstin e predikimeve për fenë dhe dashurinë për ortodoksizmin.

Në kontekstin ballkanik, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka një fuqi identike mobilizuese, që e bën ndërmjetësuesen kyç të ndikimit rus, theksoi DFC-ja.

“Para zgjedhjeve lokale në Kotor dhe Podgoricë në shtator të vitit 2024, KOS-i shfrytëzoi të gjithë rrjetin e priftërinjve, të cilët në ceremoni dhe liturgji theksonin rolin kyç të ruajtjes së fesë, popullit dhe të shenjtëroreve si një futje në fushatën zgjedhore”.

Po ashtu, figura kyç të kishës u vunë në funksion të partive proserbe dhe proruse, duke tentuar që të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor. Pushtetin në këto qytete e kanë parti të afërta me Kishën Ortodokse Serbe.

Përgjigja e Mitropolisë së Kishës Serbe në Mal të Zi

Lidhur me këto pretendime, nga Mitropolia e Kishës Ortodokse Serbe i thanë Radios Evropa e Lirë se ato janë “të kota, të rreme dhe keqdashëse”.

“Pretendimet e pabazuara të të ashtuquajturit DFC për kishën … janë gënjeshtra të rrezikshme dhe të llogaritura, që synojnë vetëm të dëmtojnë KOS-in, nga kush e për çfarë interesash, nuk dihet”, u tha në përgjigje.

Nga Mitropolia pohuan se kisha nuk ka qenë e angazhuar në fushatat zgjedhore në Podgoricë e as në Kotor.

“Kisha, për shkak të rrezikut të madh juridik, është angazhuar shumë hapur për ndryshimin e pushtetit në vitin 2020, por as atëherë e as tani nuk merret e as do të merret me fushata partiake”.

Ata shtojnë se nuk ka logjik që kisha të akuzohet se përkushtimi i saj për “fenë, popullin dhe shenjtorët” është futje në një fushatë zgjedhore.

“Në Mal të Zi nuk ekziston aktivitet hibrid i Kishës Ortodokse Serbe”, u tha në përgjigjen dërguar REL-it.

Shteti – kyç në luftën kundër ndikimit rus

Rol kyç në pengimin e përpjekjeve të Kremlinit duhet të kenë institucionet e sistemit, vlerësoi Drashko Jabuçanin nga DFC-ja.

“Të cilat do të vepronin në mënyrë proaktive kundër përpjekjeve të bashkëpunëtorëve për destabilizim dhe operacioneve të ndikimit mbi opinionin publik. Nga ana tjetër, komunikimi strategjik i vendimmarrësve duhet t’u tregojë qytetarëve rëndësinë e integrimeve evropiane, si dhe motivet e palëve të treta për ta ndalur këtë proces”.

Komisioni Evropian në raportin e fundit i rekomandoi Malit të Zi që të bëjë më shumë për të luftuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin. Për të krijuar rezistencë ndaj kërcënimeve hibride, është propozuar miratimi i një strategjie dhe plani veprimi.

Mali i Zi aktualisht është më afër anëtarësimit në BE, pasi ka hapur të gjithë 33 kapitujt dhe ka mbyllur shtatë.

Qeveria e Malit të Zi synon që deri në fund të vitit të ardhshëm të mbyllë të gjitha kapitujt dhe në vitin 2028 të bëhet anëtar i BE-së./ REL 

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Netflix blen studiot e Warner Bross për 72 miliardë dollarë

Netflix blen studiot e Warner Bross për 72 miliardë dollarë

5 December, 2025
Hidhet shorti i Botërorit 2026, Anglia në grupin e ‘vdekjes’

Hidhet shorti i Botërorit 2026, Anglia në grupin e ‘vdekjes’

5 December, 2025
Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në rast kualifikimi në Kupën e Botës 2026

Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në rast kualifikimi në Kupën e Botës 2026

5 December, 2025
Shorti/ Iu ka shënuar Curri, zbulohen rivalët e mundshëm të Shqipërisë në Botëror. Ja ndarja finale e grupeve

Shorti/ Iu ka shënuar Curri, zbulohen rivalët e mundshëm të Shqipërisë në Botëror. Ja ndarja finale e grupeve

5 December, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result