Izraeli tha të premten se e ka emëruar vëllanë e presidentit, ish-gjeneralin Michael Herzog, si ambasador të ri në Shtetet e Bashkuara, duke e arsyetuar këtë vendim me përvojën e tij rreth Iranit dhe programit të tij bërthamor.
Herzog ka përvojë të gjatë në politikën e sigurisë. Ai ka shërbyer në forcat e armatosura 40 vjet, ka qenë shef i stafit për katër ministra të Mbrojtjes dhe ka marrë pjesë në shumë runde të bisedimeve të paqes me palestinezët, thuhet në deklaratën e Zyrës së Kryeministrit Naftali Bennett.
Në deklaratë u theksua edhe përvoja e vëllait të presidentit izraelit rreth çështjeve tjera, më saktësisht, siç u raportua, “njohuria e thellë e çështjeve strategjike me të cilat përballet Izraeli, sidomos programi bërthamor i Iranit”.
Teherani është duke zhvilluar negociata me Uashingtonin dhe fuqitë tjera botërore në Vjenë rreth ringjalljes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila ia kufizonte programin bërthamor Republikës Islamike në këmbim të largimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Izraeli e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë programin bërthamor të Iranit dhe u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos kthehen në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Sidoqoftë, Irani thotë se është i interesuar vetëm për prodhim të energjisë dhe projekte tjera paqësore përmes programit bërthamor.
Ndryshe, tensionet mes Perëndimit dhe Izraelit me Iranin janë rritur ditëve të fundit, pasi një anije e menaxhuar nga një kompani izraelite javën e kaluar u sulmua në Gjirin e Omanit, duke lënë dy të vdekur. Britania, ShBA-ja dhe Izraeli e kanë fajësuar Iranin për këtë sulm.