Policia e Shtetit finalizoi me sukses operacionin e koduar “Metalurgjiku”, i cili kishte si objektiv goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 16 persona, 8 prej të cilëve shtetas, pjesë e dy subjekteve juridike, për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës.
Personat e arrestuar janë administratorë, drejtorë prodhimi, inxhinierë, përgjegjës turni, operatorë furre dhe punëtorë. Mes tyre është vënë në pranga dhe shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Po ashtu janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas, aksionerë të subjekteve tregtare.
Nga hetimet e kryera rezultoi se subjektet e vendosura në zonën e ish-Metalurgjikut në Tiranë kishin shkelur rëndë legjislacionin mjedisor dhe rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë përpunimin e mbetjeve të baterive.
Për shkeljet e konstatuara, u vendosën masa administrative në vlerën 3 milionë lekë dhe 10 milionë lekë, si dhe pezullimi i aktivitetit të të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Metalurgjiku”, i ndjekur prej disa muajsh me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Procedohen penalisht 2 subjekte juridike, bazuar në nenin 3 të ligjit Nr. 9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
Vihen në pranga 16 shtetas (9 prej tyre shtetas të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjës.
Shpallen në kërkim 8 shtetas, aksionerë.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Metalurgjiku”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga 16 shtetas, konkretisht:
J. C., 64 vjeç, shtetas korean, E. F., 48 vjeç, banues në Elbasan, administratorë;
B. A., 62 vjeç, E. B., 48 vjeç, të dy banues në Elbasan, drejtorë prodhimi;
E. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, A. R., 31 vjeç, shtetas indian, inxhinierë/drejtues teknik;
R. P., 24 vjeç, S. P., 27 vjeç, D. K., 32 vjeç, R. Y., 38 vjeç, M. S., 43 vjeç, R. P., 24 vjeç, gjithë shtetas indianë, P. K., 32 vjeç, shtetas nepalez, J. K., 63 vjeç, D. Xh., 45 vjeç, të dy banues në Elbasan, përgjegjës turni/operator furre/punëtor;
I. D., 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Z., 43 vjeç, D. K., 54 vjeç, F. M., 55 vjeç, Gj. B., 48 vjeç, A. Sh., 72 vjeç, S. O., 67 vjeç, I. L., 53 vjeç, A. K., 38 vjeç, aksionerë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Po punohet për kapjen e tyre.
Nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative si më poshtë:
3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
U sekuestruan celularë dhe DVR.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.




