Ndryshime në Kodin e Drejtësisë Penale/ Forcohet mbrojtja ligjore për fëmijët, prani e detyrueshme e avokatit gjatë procedimeve 

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Mbrojtja ligjore e te miturve që janë në konflikt me ligjin do të forcohet.

Këtë parashikojnë ndryshimet në “Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur” të publikuar për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë.

Një nga risitë kryesore është detyrimi për praninë e avokatit që në momentin e parë të procedimit, pa mundësi që i mituri të heqë dorë nga kjo e drejtë.

Çdo fëmijë do të përfitojë automatikisht ndihmë juridike falas. Po ashtu, i mituri do të informohet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për të  gjitha të drejtat e tij, ndërsa në proces do të përfshihen prindi, përfaqësuesi ligjor ose një person i besuar.

Projektligji vendos standarde të reja edhe për marrjen në pyetje të të miturve, duke parashikuar regjistrimin audioviziv të pyetjeve, zhvillimin e tyre në ambiente të përshtatura për fëmijë dhe kufizimin e numrit të intervistave për të shmangur një viktimizim të dytë.

Një tjetër element i rëndësishëm është parimi se privimi nga liria do të përdoret vetëm si masë e fundit, për periudhën më të shkurtër të mundshme, duke i dhënë përparsi masave alternative. Gjykatat do të kenë detyrimin të arsyetojë në mënyrë të posaçme çdo vendim për arrest, ndalim apo burgim të të miturve.

Ndryshimet ligjore forcojnë gjithashtu mbrojtjen e fëmijëve viktima dhe dëshmitarë, veçanërisht në rastet e trafikimit dhe shfrytzimit seksual. Projektligji parashikon qartë se fëmijët viktima të këtyre veprave nuk mund të ndëshkohen për veprime kriminale që janë detyruar t’i kryejnë si pasojë e drejtpërdrejtë e shfrytëzimit apo trafikimit

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së privatësisë e të dhënave personale të të miturve, duke kufizuar aksesin në informacion dhe ndaluar publikimin e të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e tyre

Me këto ndryshime, Shqipëria synon të afrohet më tej me standardet evropiane të drejtësisë për fëmijët dhe të garantojë një sistem penal më të drejtë.

Share This Article