Zyra e Kryeministrit britanik, Keir Starmer, ka shpallur emërime të reja për disa ministra të nivelit të dytë, si pjesë e një serie ndryshimesh në qeveri që pasuan dorëheqjen e ish-zëvendëskryeministres Angela Rayner të premten.
Rayner dha dorëheqjen pasi këshilltarja e etikës e kryeministrit zbuloi se ajo kishte shkelur kodin ministror për shkak se nuk kishte paguar mjaftueshëm taksa për apartamentin e saj në East Sussex.
Ndër ndryshimet më të spikatura janë largimi i Angela Eagle dhe Diana Johnson nga Ministria e Brendshme, që sipas redaktorit politik të BBC, Chris Mason, përfaqëson një “pastrim të qartë”.
Ja cilat janë emërimet kryesore:
Jason Stockwood është emëruar ministër i investimeve në mënyrë të përbashkët në Departamentin për Biznes dhe Tregti dhe në Thesarin Britanik.
Dan Jarvis i bashkohet Zyrës së Kabinetit si ministër, ndërkohë që do të vazhdojë të mbajë edhe postin e ministrit të sigurisë në Ministrinë e Brendshme.
Jacqui Smith është emëruar ministre e aftësive në Departamentin për Punë dhe Pensione. Ajo do të vazhdojë të mbajë edhe rolet si ministre për aftësi dhe për gratë dhe barazi gjinore në Departamentin e Arsimit.
Lord Patrick Vallance bëhet ministër në Departamentin për Sigurinë Energjetike dhe Emetime Zero. Ai do të vazhdojë të jetë ministër edhe në Departamentin për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji.
Michael Shanks është emëruar ministër në mënyrë të përbashkët në Departamentin për Biznes dhe Tregti dhe në Departamentin për Sigurinë Energjetike dhe Emetime Zero.
Alison McGovern është emëruar në Ministrinë për Strehimin, Komunitetet dhe Qeverisjen Lokale.
Dame Angela Eagle do t’i bashkohet Departamentit për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale.
Dame Diana Johnson është transferuar në Departamentin për Punë dhe Pensione.
Sarah Jones (MP) është emëruar në Ministrinë e Brendshme.
Poppy Gustafsson, Jim McMahon dhe Daniel Zeichner janë larguar nga qeveria.
Biznesmeni i njohur nga Grimsby, Jason Stockwood, pritet të bëhet pjesë e qeverisë së Kryeministrit Keir Starmer si ministër i biznesit, pasi është ftuar të bashkohet me Dhomën e Lordëve.
Edhe pse Stockwood nuk është deputet i zgjedhur, pozicioni në Dhomën e Lordëve i mundëson atij të japë këshilla dhe të ushtrojë ndikim në politikat qeveritare.
Përveçse një biznesmen i suksesshëm, 54-vjeçari ka qenë ish-kryetar i klubit të futbollit Grimsby Town FC, dhe mbetet bashkëpronar i klubit që garon në League Two (liga e katërt në Angli).
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Stockwood përfshihet në politikë. Në pranverën e këtij viti, ai kandidoi për të qenë kryetari i parë i zgjedhur i autoritetit të ri të Greater Lincolnshire, por humbi me një diferencë të theksuar ndaj kandidates së Reform UK dhe ish-deputetes konservatore, Dame Andrea Jenkyns.
Gjatë fushatës së tij, Stockwood kishte theksuar origjinën e tij nga një lagje komunale në Grimsby, duke premtuar se do të punonte për të forcuar ndjenjën e krenarisë dhe sigurisë në komunitet.