Ish-presidenti Bamir Topi është shprehur se ndryshimet e bëra nga kryeministri Edi Rama në qeveri, vijnë në një moment që ai nuk ka askënd përballë politikisht dhe është në avantazh të thellë ndaj kundërshtarëve.
Komentet Topi i bëri në emisionin “Kjo Javë” në News24, ku tha kryeministri Rama po “luan” me rezervat e treta apo të katërta, teksa bëri një krahasim të situatës politike me lojën e futbollit.
Ai shtoi gjithashtu se fakti që Rama po qëndron prej 10 vitesh kryeministër do të thotë që ai ndihet komod dhe tha se situata ku ndodhet opozita është shqetësuese.
“Situata i ngjan asaj lojës së futbollit, ku ekipi është në rezultat të thellë dhe luan me rezervat e treta apo të katërta. Gjithsesi i uroj çdokujt suksese. Por e trajtuar nga pikëpamja politike janë lëvizje që Rama kërkon të pastrojë, siç është procesi i dializës, që ka nevojë për transfuzion, por sërish trupi vuan.
Ndaj ne s’kemi një jehonë të ndërrimit të ministrave. U ndërruan 7 ministra dhe nuk janë pak. Kjo ngjan debat dhe diskutim, e si pasojë thërret në interpelancë kryeministrin. Fakti që s’ka ndjeshmëri, është situata më e vështirë që po kalojmë, shoqëria nuk ndjen, por edhe epo ndjeu nuk reagon. Mazhoranca dhe kryeministri ka mundësi për të mbuluar një skandal, lëvizje radikale të fortë.
Këto ndryshime janë padyshim të detyruara. Fakti që ka 10 vite kryeministër dhe transparenca mungon, ai ndihet komod se nuk ka asnjë përballë. Të kesh formalisht dikë që nuk është, kjo është situata e keqe. E kam fjalën për situatën e opozitën”, u shpreh Topi.