Ndryshojnë çmimet e karburanteve, Bordi i Transparencës merr sot vendimin

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se Bordi i Transparencës do të mblidhet sot për të analizuar situatën dhe për të dalë me një vendim lidhur me çmimin e karburanteve.

“Sot Bordi do të mblidhet, po merr gjithë informacionet për lëvizjen e çmimeve. Sot do të dalë me një vendim”, u shpreh ai.

Demo theksoi se rritja e çmimit të naftës nuk është e menjëhershme, por kërkon një periudhë të caktuar reflektimi në treg, ndërsa shtoi se institucionet janë duke garantuar transparencë për produktet bazë, përfshirë energjinë dhe karburantet.

Deklarata vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet vendase si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

Bordi i Transparencës u krijua për herë të parë gjatë pandemisë së koronavirusit, ku për javë të tëra vendosin çmimin e karburanteve. Këtë të hënë do të jetë mbledhja e parë që prej asaj periudhe.

Ndërkohë, rritja e çmimit të naftës në vend ka vënë në vështirësi sektorin e transportit urban, duke rritur ndjeshëm kostot e operimit. Shoqata e Transportit Urban ka kërkuar mbështetje nga shteti, duke theksuar se nuk kanë mundësi të rrisin çmimin e biletës për qytetarët. Përfaqësuesit e saj paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, nga java e ardhshme mund të reduktojnë me rreth 30% flotën e mjeteve, çka do të ndikonte drejtpërdrejt në shërbimin për qytetarët.

Ndërkohë, çmimi i naftës ka arritur në rreth 215 lekë për litër, duke reflektuar presionin e tregjeve ndërkombëtare dhe pasojat e zgjatura të krizave gjeopolitike. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa për të zbutur ndikimin tek qytetarët, duke bërë të ditur se qeveria do të ulë me 20% akcizën e naftës sa herë që çmimi kalon pragun e 220 lekëve për litër.

Sipas Ramës, kjo ndërhyrje synon të amortizojë goditjen në ekonomi dhe të mbrojë shtresat më të prekura, veçanërisht pensionistët. Ai theksoi se vendi ndodhet në një situatë fiskale që lejon ndërhyrje të tilla, falë niveleve relativisht të ulëta të borxhit dhe deficitit.

Share This Article