Dikur tepër i pasur, Rezart Taçi u shpall fajtor për mashtrim me profesion, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim besimi, duke dëmtuar në mënyrë të veçantë interesat e kompanisë multinacionale SGS, e cila sapo është zhvendosur nga kantoni i Gjenevës në Zoug.
Një i pandehur jo i zakonshëm u dënua të martën në Gjenevë nga Gjykata Korreksionale. Në moshën 54-vjeçare, Rezart Taçi akuzohej për një sërë mashtrimesh financiare përmes aktiviteteve të tij në tregtinë e naftës në Shqipëri, të cilat kishin degëzime të rëndësishme edhe në Zvicër. Mashtrim me profesion me anë të një sistemi ‘veçanërisht dinak’, sipas aktakuzës, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim besimi përbëjnë bazën e madhe të veprave penale që i atribuohen atij, në dëm të SGS, gjigantit botëror të certifikimit.
Duke qenë subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar në atdheun e tij, ai është në arrati dhe për këtë arsye u përjashtua nga detyrimi për të qenë i pranishëm në gjykim. Në Shqipëri, ai ndiqet penalisht prej të paktën katër vitesh për dyshime mbi pastrim parash dhe pjesëmarrje në krim të organizuar, për shkak të lidhjeve të supozuara me mafien siciliane.
‘Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara-, tha gjykatësja Alessandra Armati. -Jo, iu kundërpërgjigj avokati i tij, Me Pascal Maurer, nuk mund t’ju them se ku është, por kam folur me të mbrëmë. Ai e ka lexuar aktakuzën dhe i pranon faktet.’