Bisedimet në Berlin mbi propozimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë midis Volodymyr Zelensky-t dhe të dërguarve të SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner përfunduan të dielën në mbrëmje pas më shumë se pesë orësh dhe do të vazhdojnë të hënën.
“Ata ranë dakord të vazhdojnë nesër”, u tha gazetarëve këshilltari i presidentit ukrainas Dmytro Litvin.
Zelensky u takua me delegacionin amerikan në zyrën e kancelarit Friedrich Merz në Berlin për të diskutuar propozimet për t’i dhënë fund luftës. Merz i mirëpriti të pranishmit, por nuk qëndroi në sallë gjatë bisedimeve, siç thanë burime qeveritare për agjencinë dpa. Ndërkohë raportohet se këshilltari i Merz për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Günter Sautter, ishte moderator i takimit.
Merz u takua me delegacionin amerikan, të udhëhequr nga Witkoff dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, të dielën pasdite para se t’i linte vendin Zelensky-t. Lideri i Kievit mbërriti pak më vonë dhe Merz e priti ngrohtësisht dhe e përqafoi.
Ende nuk dihet publikisht se cilat propozime specifike janë aktualisht në tryezën e diskutimit të amerikanëve me Ukrainën.
Duke folur me gazetarët ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se SHBA-të ende nuk kanë komentuar mbi propozimet e tij të fundit për ndryshime në planin e paqes të Trump. Ai tha se plani i paqes nuk do t’i kënaqë të gjitha palët, por këmbënguli që Ukraina të ketë një pozicion të fortë negociues.
Ndërkohë, duke folur në televizionin shtetëror rus, Yuri Ushakov, këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, tha se Rusia nuk pret shumë nga negociatat në Berlin. Kontributet e Ukrainës dhe forcave evropiane në planin e paqes të Trump “vështirë se do të jenë konstruktive”, tha Ushakov në një deklaratë të transmetuar të dielën.
“Ky është problemi”, tha ai, duke theksuar bindjen e Rusisë se pala amerikane e kupton qëndrimin rus.
Ushakov e bëri të qartë se Rusia nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj territoriale, duke përfshirë edhe tërheqjen e plotë të Kievit nga ato pjesë të dy provincave lindore të Donetskut dhe Luhanskut që forcat ruse nuk i kanë pushtuar ende.
