Mbretëria e Bashkuar është përballur me fluksin më të madh ditor të emigrantëve të paligjshëm për vitin 2025, pasi më shumë se 1,000 persona kaluan Kanalin e La Manshit me gomone të shtunën.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, forcat franceze qëndruan në vëzhgim, ndërsa dhjetëra gomone të mbushura me burra, gra dhe fëmijë në kërkim të azilit në Britani, u nisën nga brigjet veriore të Francës drejt Anglisë.
Në total, rreth 18 mjete lundruese kaluan Kanalin, duke e kaluar rekordin e mëparshëm ditor për këtë vit – 825 persona – që ishte regjistruar vetëm pak javë më parë.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta politike në Britani. Sekretari i Brendshëm në hije, Chris Philp, e quajti ditën si një “ditë turpi” për qeverinë laburiste, duke kritikuar Kryeministrin Keir Starmer për humbjen e kontrollit mbi kufijtë.
“Më shumë se 1,000 emigrantë të paligjshëm në një ditë, gomone që përmbytin Kanalin, Forcat Kufitare në pikën e thyerjes, dhe madje edhe anije peshkimi të përfshira në operacionet e shpëtimit. Ky është një shtet që po shkon drejt kaosit në det,” – deklaroi Philp.
Sipas tij, shërbimet detare të shpëtimit janë mbingarkuar, duke kërkuar angazhimin e 11 mjeteve detare dhe 2 avionëve për të ndihmuar emigrantët gjatë udhëtimit të rrezikshëm.
Me valën e fundit të kalimeve, numri total i emigrantëve që kanë kaluar Kanalin me gomone këtë vit ka arritur në 14,600 persona – rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe niveli më i lartë në pesë muajt e parë të vitit që nga fillimi i këtyre kalimeve në vitin 2018.