Më 15 dhjetor të vitit 1942 u nda nga jeta Faik Konica. (15 mars 1875 – 15 dhjetor 1942).
Ai ishte shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve evropiane.
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit.
Shkollën e mesme e kreu në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për Filologji Romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A. ku mori gradën “Master of Arts”.
Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themeluan gazetën “Dielli”, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me 1912 në emër të Federatës “Vatra”, shkoi në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Më 1921, Konica u zgjodh kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkroi në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”. Më vitin 1926, Faik Konica u emërua Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.
Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942. Pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë, në vitin 1995.




