Technologji
Në kulmin e protestave, Vuçiç themelon “lëvizjen për popullin dhe shtetin”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një tubimi në Jagodinë njoftoi për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”, që tha se do të mbledhë rreth vetes partitë në pushtet dhe mbështetësit e tyre.
Në tubimin në Jagodinë morën pjesë mijëra mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe partnerëve të saj të koalicionit.
“Të gjithë jeni të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen për ndryshimet e mëdha”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Sipas tij, arsyeja e formimit të kësaj lëvizjeje është se ka gjëra me të cilat ai nuk është i kënaqur.
Tubimi i mbështetësve të Qeverisë serbe në Jagodinë u mbajt në kohën kur po vazhdojnë protestat masive në mbarë Serbinë, që janë thirrur nga studentët të cilët po bllokojnë universitetet. Studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Po të njëjtën ditë është mbajtur edhe një “grevë e përgjithshme”, ku janë bashkuar një numër i biznesmenëve, mësuesve, punëtorëve të arsimit dhe avokatëve që ndërprenë punën në shenjë proteste.
Akuza ndaj opozitës

Vuçiç e nisi adresimin e tij duke thënë se Serbia “u sulmua sot”, pa ofruar dëshmi se kush po e sulmonte shtetin.
“Njerëzit tanë e dinë, Serbia e di, se si po sulmohet sot, se si po sulmohet nga jashtë dhe nga brenda. Njerëzit tanë e dinë se kur është koha të ngrihen në këmbë dhe të mbështesin ata për të cilët mund të thënë shumë gjëra të pakëndshme, por të paktën e dinë se ata e kanë mbrojtur Serbinë dhe kanë luftuar për Serbinë”, tha ai.
Ai akuzoi partitë që ishin në pushtet pas ndryshimeve politike të 5 tetorit të vitit 2000, e që tani janë në opozitë, se po “plaçkitin Serbinë”.
“Sot po na mbajnë predikime, duan të kthehen në pushtet dhe po i përdorin fëmijët për t’u kthyer në pushtet”, tha Vuçiç.
Gjatë fjalimit në Jagodinë, Vuçiç tha se “fëmijët e kanë vendin në shkolla” e jo në protesta, duke iu referuar bllokimit të shkollave në mbarë Serbinë dhe pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme në protestat më 24 janar.
“Sa u përket studentëve, pavarësisht sharjeve dhe fjalëve të ashpra, u bëj thirrje që të angazhohen në dialog dhe të tregojnë se cilat kërkesa nuk janë plotësuar. Le të na thonë publikisht kërkesat që nuk janë plotësuar. Kërkesa të tilla nuk ekzistojnë”, tha ai.
Ai përsëriti qëndrimin se Qeveria ka plotësuar katër kërkesat e studentëve. Vuçiç po ashtu pretendoi se nuk ka pasur raportime në polici për protesta dhe bllokim të rrugëve në mbarë Serbinë.
“Policia nuk mund t’iu mbrojë kur nuk e di që ka tubime, tubime të paligjshme. Edhe sot, ata nuk kanë raportuar për asnjë tubim asakund”, tha ai.
Vuçiç tha po ashtu se pas incidentit gjatë protestës në Novi Beograd, ku një studente u lëndua pasi u godit nga një makinë që u përplas me demonstruesit, “policia me rroba civile shpëtoi situatën”.
Gjatë adresimit, ai tha po ashtu se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë “e as ndaj ndonjë miku tjetër”.
Ai po ashtu tha se do të ketë “raporte miqësore dhe vëllazërore” me Rusinë dhe Kinën dhe do të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, në ditët në vijim për të gjetur një zgjidhje lidhur me sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë.
“Fuqia e Serbisë është në pavarësinë e saj. Në mbrojtjen e rrënjëve tona, por edhe të ardhmes tonë”, tha ai.
Daçiç mbështet lëvizjen e re

Tubimi në Jagodinë nisi me këndimin e himnit serb nga mijëra të pranishëm. Në të u bë njoftimi për themelimin e lëvizjes së re. Përveç presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të pranishëm në tubim ishin edhe ministra qeveritarë nga SNS-ja dhe partnerët e koalicionit.
Në tubim përkrah Vuçiçit ishte edhe Ivica Daçiç, ministër për Punë të Brendshme dhe udhëheqës i Partisë Socialiste të Serbisë.
“Nuk duhet të lejojmë që armiku të krijojë përçarje mes nesh, qytetarëve të Serbisë. Ne nuk duam luftë civile, ne duam paqe dhe zhvillim”, tha Daçiç.
Siç u tha në fillim të tubimit, “lëvizja për popullin dhe shtetin” do të bëjë bashkë njerëzit që kanë “mendime të ndryshme politike, qëndrime të ndryshme, përvoja të ndryshme, që janë në parti të ndryshme politike, por edhe ata që kurrë nuk kanë qenë pjesë e ndonjë partie dhe nuk kanë pasur interesim për politikën”.
“Por, njerëz që kanë një qëllim të përbashkët. Ky qëllim është një Serbi e qëndrueshme, e fortë dhe fituese. Një shtet me institucione të forta. Një shtet që u garanton të gjithë qytetarëve të drejta të njëjta, një shoqëri që nuk përçan njerëzit”, u tha në fillim të tubimit.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë që janë në terren në Jagodinë, qindra autobusë me tabela nga qytete të tjera u panë duke iu afruar qytetit, duke transportuar mbështetësit e Aleksandër Vuçiçit.
Sipas gazetarëve të REL-it, flamuj të Serbisë dhe ushqime u janë dhënë mbështetësve të mbledhur të partive në pushtet. Teksa mijëra mbështetës të Qeverisë serbe u mblodhën në Jagodinë, disa prej tyre ishin edhe në një tubim partiak afër Novi Sadit.
Kryeministri serb, njëherësh kryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviç, tha në tubimin partiak se nuk do të ketë “ndryshim të pushtetit me dhunë e as qeveri tranzitore”.
“Ka pasur kohë të vështira dhe gjithçka ka kaluara, edhe kjo do të kalojë dhe nuk do të ketë revolucion”, tha Vuçeviç.
“Ne kurrë nuk iu kemi ikur zgjedhjeve. Mos u zhgënjeni sërish, sepse kur shikoni fotografi nga tubimet, është një gjë, e është tjerët gjë kur njerëzit shkojnë të votojnë”, shtoi ai./REL
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
Bota
Avionë në formacion si zogjtë shtegtarë! Metoda e re e fluturimit
Kompania europiane Airbus po eksperimenton me një koncept të ri të fluturimit në formacion, i frymëzuar nga zogjtë, për të ulur konsumin e karburantit dhe ndikimin mjedisor të industrisë ajrore.
Projekti, i quajtur “Fello’fly”, synon të përdorë efektin e krijuar nga avioni që udhëheq formacionin për të përmirësuar efikasitetin e karburantit të avionëve që e ndjekin, një efekt i njohur si “rikuperimi i energjisë nga shtrati i ajrit”.
Testimet u realizuan në bashkëpunim me linjat ajrore Air France, Delta Air Lines, French Bee dhe Virgin Atlantic, duke kryer tetë fluturime mbi Atlantikun e Veriut midis shtatorit dhe tetorit 2025.
Avionët u vendosën në një formacion që imiton pozicionin e zogjve migratorë, ku avioni kryesor gjeneron një ngritje që ndihmon avionët pasues të konsumojnë më pak karburant, duke ruajtur gjithashtu distancën e sigurt sipas rregullave të aviacionit.
Airbus njofton se nëse kjo teknikë zbatohet në fluturimet komerciale, mund të arrihet një kursim karburanti në fluturimet e gjata dhe një reduktim i ndjeshëm i emetimeve të CO2.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se reduktimet do të jenë të kufizuara. Çmimi i lartë i karburanteve të pastra, mungesa e avionëve të rinj dhe rritja e vazhdueshme e trafikut ajror e komplikojnë përmirësimin e qëndrueshmërisë.
Parashikohet që deri në vitin 2040 të ketë 8 miliardë pasagjerë në vit, duke rritur ndjeshëm flotën globale.
Sipas një studimi të Transporte dhe Mjedisit, edhe përdorimi i karburanteve alternative SAF nuk do të eliminojë plotësisht përdorimin e karburanteve fosile, duke treguar sfidat e vazhdueshme për një aviacion më të gjelbër.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania19 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania20 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
Albania19 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
