“Lufta kundër Ukrainës është e pakuptimtë në shtrirjen e saj, e pamëshirshme në dimensionin e saj dhe e pakufizuar në potencialin për dëme globale”.
Kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në një takim të Këshillit të Sigurimit, duke përsëritur se ai gjithashtu riafirmoi në Moskë dhe Kiev se “pushtimi rus i Ukrainës është një shkelje e integritetit të saj territorial dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij cikli i vdekjes dhe shkatërrimit duhet të ndalet. Ka ardhur koha për t’u bashkuar dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte, theksoi sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Guterres e ka përshkruar zonën e luftës në qytetin portual të Ukrainës jugore, Mariupol, si “peizazhe ferri”.
Më shumë detaje do të jepen në raportin e Guterres, sipas të cilit operacioni i fundit për të nxjerrë civilët nga Mariupol, duke përfshirë fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal atje, është në progres.
Një operacion i tretë është duke u zhvilluar, sapo i tha Guterres Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, raporton Reuters.
Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) kanë ndihmuar deri më tani rreth 500 civilë të largohen nga zona gjatë dy operacioneve në javën e kaluar.
“Shpresoj se koordinimi i vazhdueshëm me Moskën dhe Kievin do të çojë në më shumë pauza humanitare për t’u lejuar civilëve një kalim të sigurt nga luftimet dhe ndihma për të arritur ata në nevojë kritike. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i nxjerrë njerëzit nga këto peizazhe ferri”, i tha ai Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh.