Para 25 vjetësh ndodhi në Srebrenicë krimi më i rëndë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: njësi serbe vranë atje mbi 8.000 djem dhe burra muslimanë.
“Në Srebrenicë Evropa dështoi,” thotë në një intervistë për DW Gudrun Steinacker. Ish-diplomatja, e cila ishte së fundmi Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe konsiderohet si një nga njohëset më të mira të Ballkanit në diplomacinë gjermane, është e sigurt se “pas katër vitesh lufte dhe spastrimi etnik me kampe përqendrimi, zhvendosje masive dhe përdhunime masive, mund të dihej se çfarë ishte e mundur “.
Detajet e kësaj drame të paimagjinueshme janë përpunuar në mënyrë të përpiktë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Sipas kësaj gjykate në fazën e fundit të luftës civile në Bosnje-Hercegovinë (1992-1995), serbët kishin nisur me planifikimin strategjik të masakrës në mars të vitit 1995.
Shumëkush e kujton Srebrenicën vetëm në përvjetorë
Në lindje të Bosnjë-Hercegovinës, në qytetin e vogël të Srebrenicës, ndodhi në korrik 1995 krimi më i rëndë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: njësi serbe vranë atje mbi 8,000 djem dhe burra muslimanë. Gjykatat ndërkombëtare e kanë klasifikuar vazhdimisht këtë masakër të paparë ndaj civilëve si gjenocid.
Mbrojtje e pamjaftueshme
Srebrenica qe shpallur dy vjet më parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB si një nga gjashtë “zonat e sigurta”. Por rreth 400 ushtarë helmetëkaltër holandeze të OKB-së, ishin të armatosur në mënyrë të pamjaftueshme, për ta mbrojtur Srebrenicën, e cila qe kthyer në një strehë për rreth 25.000 refugjatë
Nga 13 deri në 17 korrik, njësitë serbe vranë në Srebrenicë mbi 8,000 burra dhe djem dhe i varrosën në varre masive. Tani janë identifikuar dhe janë varrosur në varrezat përkujtimore në Potoçari pothuajse 7,000.
Identifikimi i skeletëve të viktimave të Srebrenicës
Identifikimi i skeletëve ishte një punë mjaft e vështirë për ekipet ndërkombëtare të mjekëve ligjorë, sepse për të mbuluar gjurmët e krimeve të tyre serbët i hapën varret masive me buldozerë dhe shpërndanë pjesët e trupave pa jetë në të ashtuquajturat varreza dytësore ose tretësore. Për këtë arsye ekspertëve mjeko-ligjorë iu desh të mblidhnin mbetjet e trupave nga varre të ndryshme dhe t’i bashkonin përsëri ato.
Ende shumë kriminelë të padënuar
Komandanti i përgjithshëm i genocidit, udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe shefi i tij ushtarak Ratko Mladić, u dënuan me burgim të përjetshëm nga gjykata e OKB në Hagë. Por deri sot numri më i madh i autorëve të këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë. Shumë prej tyre kanë ikur në Serbi dhe jetojnë atje pa pasur frikë nga drejtësia.
“Sidomos ushtarakët e nivelit të mesëm nuk kanë dalë para ligjit,” tha Murat Tahirović në Sarajevë për Deutsche Welle. Ai është president i “Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit” dhe thotë se “megjithëse organizata jonë ka paraqitur një dokumentim të gjerë për 24 shtabet me 227 anëtarë, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga organet e zbatimit të ligjit”.
Serbia nuk e pranon masakrën
Edhe 25 vjet pas çmendurisë së Srebrenicës, Serbia zyrtare dhe shumica e popullatës serbe vazhdojnë të mos pranojnë ta konsiderojnë masakrën si gjenocid. Edhe rrugë, shkolla dhe një konvikt studentor mbajnë emrat e kriminelëve të luftës Mladić dhe Karadžić. Një numër i atyre që janë qenë të përfshirë direkt ose indirekt në vrasjen masive të asaj kohë mbajnë ende poste si politikanë apo janë sipërmarrës e bisnesmenë.
Në Serbi ende rrugë, shkolla dhe një konvikt studentor mbajnë emrat e kriminelëve të luftës Mladić dhe Karadžić
“Shumëkush e kujton Srebrenicën në përvjetorë”, kritikon profesori i historisë Husnija Kamberović në Sarajevë në intervistë me Deutsche Wellen. “Ndoshta edhe bota e jashtme do të dëshironte të harronte Srebrenicën, sepse luajti edhe vetë një rol kaq të turpshëm.” Por “e vetëmja gjë që mund të ndihmojë është ndërtimi i një shoqërie jo-nacionaliste”.
Edhe të rinjtë në Ballkan i bëjnë thirrje opinionit botëror një çerek shekulli pas gjenocidit në Srebrenicë që të mos e harrojë atë që ndodhi. “Sepse nëse harrojmë këto gjëra, ato mund të ndodhin përsëri dhe një Srebrenica nuk duhet t’i ndodhë kurrë më askujt përsëri”, thotë aktivistja Lamia Bravo nga Bosnje-Hercegovina.