Presidenti amerikan, Donald Trump, vizitoi një fabrikë maskash në Arizonë, por zgjodhi të vendoste vetëm syze dhe jo maskë mbrojtëse, në atë që ishte udhëtimi i parë i tij jashtë Shtëpisë së Bardhë në plot dy muaj.
Ndërsa ai largohej nga Uashingtoni për të vizituar fabrikën e maskave në Feniks, Arizona, Trump sugjeroi se ai mund edhe ta mbante një maskë. Por vetëm nëse , shtoi ai, do të ishte e domosdoshme.
Trump ka refuzuar të mbajë një maskë gjatë gjithë krizës së koronavirusit. Vizita në Arizona, është pjesë e përpjekjes së re të Trump për të inkurajuar rihapjen e ekonomisë amerikane që është gjunjëzuar nga distancimi social dhe masat e karantinës kundër Covid-19.
Kur kanë mbetur vetëm gjashtë muaj nga dita e zgjedhjeve, presidenti republikan po mundohet të ndryshojë qëndrimin në vend dhe të tërheqë vota në këmbim të një rikthimi të shpejtë ekonomik.
“Ne nuk mund ta mbajmë vendin tonë të mbyllur edhe për shumë kohë”, thotë Trump.
Por, me viktimat e koronavirusit në shba që shkojnë në rreth 70 mijë dhe pa asnjë sinjal të zbutjes së pandemisë, kritikët e akuzojnë Trump se po i kthen shpinën krizës për qëllime personale politike. Dhe maskat në këtë fabrikë janë bërë një simbol i përplasjeve politike. Sondazhet tregojnë se demokratët mbështesin mbajtjen e maskave si shenjë përgjegjësie në një situatë të tillë, ndërsa disa republikanë e konsiderojnë vënien e maskave si një kërcënim për liritë individuale.
Disa ekspertë mjeksorë të Shtëpisë së Bardhë e madje edhe zonja e parë Melania Trump, promovojnë maskat si një mekanizëm të rëndësishëm në luftimin e përhapjes së virusit. Por vetë presidenti refuzon ta bëjë këtë. Unë mendoj se mbajtja e një maske ndërsa përshëndes presidentët, kryeministrat, diktatorët, mbretërit e mbretëreshat, është e papërshtatshme.
“Unë nuk do të mbaj një maskë”, tha ai në prill.