Në Vatikan, u zhvillua një aktivitet i posaçëm kushtuar Ditës Kulturore të Arbëreshëve, ku u nderua trashëgimia e çmuar e komuniteteve arbëreshe në Itali.
Ngjarja u organizua me nismën e Përfaqësisë Shqiptare pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, duke mbledhur së bashku kryebashkiakë të zonave arbëreshe, konsuj, ambasadorë, studiues dhe personalitete akademike.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet përmes një statusi në rrjetet sociale, ku theksoi rëndësinë e promovimit të trashëgimisë arbëreshe si një dëshmi e fortë e rezistencës, identitetit dhe kontributit shqiptar në hapësirën europiane.
Në fjalën e tij, Gonxhja e cilësoi këtë ngjarje si një moment të veçantë për promovimin e trashëgimisë arbëreshe:
“Një nder i veçantë të jemi së bashku për të nderuar dhe promovuar trashëgiminë e çmuar Arbëreshe, një ndër dëshmitë më të forta të rezistencës, identitetit dhe kontributit shqiptar në hapësirën europiane.”
Ai theksoi se Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po vijon punën përmes projekteve të reja kulturore që synojnë forcimin e urave të kujtesës dhe bashkëpunimit, si dhe rritjen e pranisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.
“Me projekte të reja kulturore, si Qendra Kulturore Shqiptare në Itali, dosieri për ‘Motin e Madh të Arbëreshëve’ në UNESCO dhe krijimi i Muzeut Kombëtar Arbëresh, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po vijon punën për forcimin e urave të kujtesës, bashkëpunimit dhe së ardhmes për të promovuar kulturën shqiptare dhe për të rritur praninë tonë kulturore në arenën ndërkombëtare.”
Në përmbyllje, ministri Gonxhja nënvizoi rëndësinë e ruajtjes dhe pasurimit të trashëgimisë arbëreshe si pjesë e pandarë e identitetit europian:
“Së bashku në këtë mision fisnik, ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë si pjesë e pandarë e identitetit europian.”





