Protestuesit kanë vendosur flamurin serb në Zubin-Potok.
Ndërsa flamuri vendosej në një shtyllë elektrike, të tjerët që kanë qenë të mbledhur kanë duartrokitur e brohoritur.
Një numër i madh i protestuesve janë mbledhur para ndërtesës së Komunës së Zubin-Potokut, derisa aty po qëndrojnë edhe ushtarë të KFOR-it.
Në Zveçan misioni i KFOR-it ka nisur shtimin e barrikadave, me qëllim sigurimin e një perimetri më të gjerë, informon media kosovare.
Në Leposaviq gjendja vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar, raporton RTK.
Ajo ka bërë të ditur se serbët lokalë po qëndrojnë në katër anët e komunës, por deri tani nuk ka pasur ndonjë incident ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.
Protestuesit kanë lëvizur drejt barrikadës ku janë të vendosur trupat e KFOR-it, me të cilët kanë filluar të komunikojnë.
Forcat e KFOR-it u kanë kërkuar protestuesve në Leposaviq që të ruajnë qetësinë. Ata thonë se nuk duan që në këtë komunë të ndodhin konfrontime, siç kanë ndodhur mbrëmë në Zveçan dhe se nuk duan tensione.