“Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj”. Kjo ka qenë deklarata e sotme e ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë Teodora Genchovska para konferencës sot në Sofje ‘Forumi BE takon Ballkanin’, me pjesëmarrjen e vendeve evropiane.
Ky qëndrim i diplomates bullgare tregon se ky vend as nuk tërhiqet në veton e vendosur për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, veto e cila pengon edhe Shqipërinë. Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi, i cili ndodhet në Sofje, nga ana e tij është shprehur i zhgënjyer mbi integrimin e Shqipërisë në BE.
“Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor, kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë”, tha ai.
Kështu ka deklaruar Komisioneri pas takimit me kryediplomaten bullgare, Teodora Genchovska. Ndër të tjera, ai ka shtuar se BE-ja duhet t’i besojë më shumë vetes dhe fuqisë që ka, duke kaluar nga natyra transformuese e zgjerimit. Duke qenë se rrugëtimi i Shqipërisë drejt mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare varet edhe nga vetoja Bullgare kundrejt Shkupit, qëndrimi i Sofjes është në një lloj mënyre mohimi direkt e çeljes së negociatave.