Bashkimi Europian duhet të bjerë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, deklaruan sot disa ministra të Jashtëm të unionit, pavarësisht shqetësimeve për progres të ngadaltë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Mendoj se BE ka interes në këtë rajon”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në Helsinki, në kuadër të bisedimeve me homologët e tij të BE-së, ku merrnin pjesë edhe kolegët nga Ballkani Perëndimor.
”Kjo është e rëndësishme për të parandaluar të tjerët, të cilët jo domosdoshmërisht bien dakord me vlerat tona, nga zgjerimi i influencës së tyre në rajon”, theksoi Maas në një referencë të hapur për Rusinë dhe Kinën.
Në korrik, BE shtyu për në tetor një vendim për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe MV, pavarësisht se Komisioni Europian vlerësoi se dy vendet kishin plotësuar kushtet dhe se besueshmëria e bllokut ishte në rrezik.
Maas argumentoi sot se nuk ishte e nevojshme që përpjekjet e dy vendeve të vlerësoheshin veçmas, ashtu siç ishte sugjeruar.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini deklaroi se vendet anëtare duhej të tregonin një mbështetje më të fuqishme në domosdoshmërinë për të qenë konsistentë rreth hapave të ardhshëm në procesin e zgjerimit të unionit.