Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se ka diskutuar për mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me Vladimir Putin gjatë bisedimeve në Kinë dhe me Volodymyr Zelenskyn në telefon.
Sipas presidentit turk, palët “nuk janë ende gati” për një takim udhëheqësish, raporton Reuters.
Erdogan ka biseduar me gazetarët në bordin e aeroplanit të tij gjatë kthimit nga Kina, ku u takua me Putinin, dhe më pas tha se e kishte telefonuar Zelenskyn.
Ai vuri në dukje se bisedimet midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas të mbajtura në Stamboll në muajt e fundit treguan se rruga drejt paqes “mbetet e hapur”.
Turqia favorizon “ngritjen graduale të nivelit të negociatave” për të shndërruar shpresat për paqe në rezultate konkrete, tha ai, duke shtuar se çdo iniciativë në fund të fundit do të duhet të trajtohet në nivelin e udhëheqësve, megjithëse kushtet nuk ishin ende në vend.