Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është tallur me Kremlinin pas raportimeve për daljen në sipërfaqe të një nëndetëseje ruse pranë brigjeve franceze, për shkak të një defekti teknik.
Ai deklaroi se gjendja e nëndetëses “Novorossiysk” është simbolike për gjendjen e mjerueshme të kapaciteteve detare të Rusisë.
“Tani, praktikisht, nuk ka mbetur pothuajse asnjë prani detare ruse në Mesdhe. Vetëm një nëndetëse e vetmuar dhe e prishur ruse që kthehet me vështirësi nga patrullimi. Çfarë ndryshimi nga romani i Tom Clancy-it i vitit 1984, ‘Gjuetia për Tetorin e Kuq’.”, tha Rutte.
Sot ngjan më shumë me ‘gjuetinë për mekanikun më të afërt’.”
Më 9 tetor, Komanda Detare e NATO-s publikoi foto ku, sipas saj, një fregatë e Marinës Franceze shihet teksa vëzhgon një nëndetëse ruse që kishte dalë në sipërfaqe pranë brigjeve të Bretanjës.
“NATO është gjithmonë gati të mbrojë Aleancën tonë, duke qëndruar në gjendje të vazhdueshme gatishmërie në të gjithë Atlantikun”, thuhej në një postim në rrjetin X, pa u përmendur emri i nëndetëses.
Autoritetet holandeze kanë deklaruar gjithashtu se Novorossiysk është tërhequr me rimorkio drejt Detit të Veriut, pas një rrjedhjeje të raportuar karburanti në ngushticën e Gjibraltarit në fund të muajit të kaluar.
Anija, e gjatë 70 metra dhe me një ekuipazh prej 50 personash, ka vijuar udhëtimin e saj përmes Kanalit Anglez drejt Detit të Veriut.
Edhe Marina Mbretërore Britanike e ka monitoruar hyrjen e saj në ujërat britanike.
Flota e Detit të Zi, të cilës i përket kjo nëndetëse, ka mohuar raportet për rrjedhje karburanti dhe ka pretenduar se dalja në sipërfaqe në Kanal është bërë për të respektuar protokollet ndërkombëtare.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, nëndetësja, e vënë në shërbim në vitin 2014, i përket një grupi nëndetësesh të pajisura me raketa lundrimi Kalibr.
Ajo mund të operojë në thellësi deri në 300 metra dhe ka një rreze veprimi prej 7.500 miljesh detare.