Nënpresidenti Mike Pence vlerësoi risitë për të luftuar koronavirusin në Klinikën Mayo të martën, ndërsa po përballet me kritika pasi nuk zbatoi politikën e detyrueshme të spitalit për të vënë maskën, edhe pasi ekipi i tij ishte informuar për këtë.
Gjatë turneut në kampusin e klinikës në Roçestër të Minesotës, nënpresidenti Pence dukej se ishte personi i vetëm që nuk mbante maskë për fytyrën.
“Nuk e kam virusin, kështu që mendova është një mundësi e mire për mua të jem këtu dhe të jem në gjendje të flasë me këta hulumtues dhe këtë personel të shkëlqyer shëndetësor”, tha nënpresidenti.
Vizita nxori në pah përpjekjet e klinikës Mayo për të krijuar dhe zgjeruar testimin e ri të koronavirusit, që do të rriste shpejt aftësinë e shtetit për të kryer 20,000 teste në ditë.
“Më thanë në Air Force 2 këtë mëngjes se kemi kryer 5.6 milion testime të koronavirusit. Por kur dëgjoj për inovacionin që është zhvilluar këtu dhe mundësinë për të shkallëzuar disa nga testet e reja që keni zhvilluar këtu në Klinikën Mayo, e di se ky është vetëm fillimi”.
Klinika Mayo në Minesota gjithashtu po luan një rol kryesor në dhënien e transfuzioneve të plazmës tek pacientët me COVID-19 në respiratorë që mund të ndihmojnë pacientët të shërohen më shpejt.
Deri më tani, më shumë se 3,000 amerikanë që janë mëkëmbur nga COVID-19 kanë dhuruar gjak në Klinikën Mayo në Roçestër.
Plani është të zgjerohen përpjekjet në shkallë vendi, dhe janë formuar partneritete me Kryqin e Kuq Amerikan dhe qendrat lokale të gjakut.
“Kjo është një mënyrë më shumë për tju gjetur pranë fqinjëve tuaj”, tha Pence. “Nëse jeni shëruar nga koronavirusi, mund të dhuroni gjak në një nga më shumë se 2000 pikat në mbarë vendin. Kontaktoni Kryqin e Kuq, telefononi mjekun tuaj dhe bëhuni pjesë e shërimit të Amerikës që po bëhet këtu në Klinikën Mayo dhe në të gjithë vendin”.