Nikollaq Neranxi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama, se këtu mund të vijnë dhe punonjës nga Bangladeshi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Neranxi shkruan se nuk është kundër përfshirjes dhe punësimit të specialistëve të huaj, por sipas tij, marrja e punonjësve që s’janë profesionistë nga vendet e tjera, si Bangladeshi është i gabuar.
Sipas tij, pas deklaratave të Ramës, tregohet urrejtja që ai ndjen për popullin e tij, e kësisoj, duket ndëshkuar me votë.
Reagimi i plotë i Nikollaq Neranxit
Me 25 prill do votoni ju, jo punëtorët e Bangladeshit!
E di që një sipërmarrës duhej të ishte personi i fundit i revoltuar nga ky qëndrim i kryeministrit, por para se te jem një drejtues i një biznesi, unë jam një qytetar i këtij vendi dhe dua që bashkëqytetarët e mi, të jenë të punësuar dhe të lumtur në vendin e tyre. Por me Edi Ramën si kryeministër, kjo është e pamundur.
Në vitet e qeverisjes së tij, shqiptarët emigruan njësoj si atëherë kur largoheshin nga diktatura ose nga lufta civile. Kjo për arsye se nuk janë në gjendje të gjejnë një punë, sepse ky vend iu ka vrarë atyre shpresën për një të nesërme më të mirë, sepse Edi Rama që kur ka ardhur në pushtet, ka menduar se si të pasurojë 10 oligarkë, mundësisht me paratë e buxhetit dhe me korrupsion.
Si sipërmarrës, jam dëshmitar i një papunësie deri në dhimbje. Për ditë njerëz në hall për mbijetesë, më kërkojnë punë. Do të doja shumë t’i punësoja të gjithë, por qeveria e Ramës e ka penguar zhvillimin e biznesit dhe ne punojmë sot në zgrip të falimentimit.
Shqiptarët janë punëtorë shumë të mirë, aspak dembelë dhe thashethemexhinj siç thotë Rama, i cili me djallëzinë e tij, kërkon të justifikojë papunësinë që ka pllakosur vendin.
Nuk jam kundër punësimit të specialistëve të huaj, edhe unë kam të tillë në kompani. Italianët janë të pakrahasueshëm në kulinari, por ama i nxis punonjësit e mi shqiptarë që t’i “vjedhin” profesionin, sepse dua që ato para t’i marrin ata.
Por nuk kam nevojë të marr punonjës nga Bangladeshi për të bërë punë të pa specializuara, vetëm sepse ata qenkan gati për t’ju nënshtruar skllavërisë time!
Nëse Ramën e bën të lumtur ky fenomen, atëherë ai e urren popullin e tij dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër, por t’i tregojmë me votë se urrejtja është reciproke.