Pas paralajmërimeve nga ana e mazhorancës socialiste se do të ndryshojë ligji për betimin tek Presidenti, reagon zëdhënësi i kreut të Shtetit, Tedi Blushi, i cili thekson se ky institucion është i vetmi plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Sipas tij, Presidenti do të jetë në Parlament bashkë me popullin shqiptarë.
Reagimi i plotë:
Të dashur kolegë gazetarë! Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e Lana Kushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!