Zlatan Ibrahimovic pohon se është anashkaluar nga vlerësimi për Topin e Artë ndër vite, sepse ai nuk përshtatet në kallëpin e të përsosurit që ka kërkuar France Football përmes Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Dy figurat ikonike të futbollit modern e kanë fituar plot 12 herë çmimin prestigjioz individual (shtatë herë argjentinasi dhe pesë herë portugezi) me një ndërhyrje të vetme në vitin 2018 kur e fitoi Luka Modric.
Ibra ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme duke shënuar mbi 500 gola për klube dhe akoma vazhdon të jetë ndër më të mirët në pozitën e tij te Milani, edhe pse është 40 vjeçar – prandaj është e pritshme që ndonjëherë gjatë viteve është dashur të konsiderohej për Topin e Artë.
“Këto janë çmime politike. Ata kërkojnë ‘z. Të Përsosurin’. Nëse flet dhe thua atë që mendon, nuk mund ta fitosh”.
“Është lehtë t’ia japësh z. Të Sjellshmit. Nuk ndryshon asgjë për mua, nuk më bën më të mirë ose më të keq”, ka thënë Ibrahimovic për Bild.
Ndryshe, gjatë karrierës së tij, Zlatan asnjëherë nuk është përfshirë në top-treshe për Topin e Artë. Renditja më e lartë e tij ishte në vitin 2013 kur u rendit i katërti. (Atë vit e fitoi Ronaldo, Messi ishte i dyti, kurse Franck Ribery i treti).