Derisa janë numëruar pothuajse të gjitha votat nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 prillit në Izrael, rezultatet tregojnë se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe partia e tij Likud, do të mundë të formojnë një koalicion të krahut të djathtë dhe të udhëheqin me Qeverinë në mandatin e pestë.
Netanyahu dhe partia e tij Likud kishin për rival partinë “Bardheblu” të kryesuar nga Benny Gantz.
Benny Gantz, një ish-gjeneral 59 vjeç, gjithashtu kishte shpallur fitoren më herët, duke u thirrur në sondazhet të publikuara menjëherë pas përfundimit të votimit të martën, që treguan se partia e tij kishte fituar më shumë vende se partia Likud.
“Ne jemi fitimtarë”, tha Gantz.
“Ne duam të falënderojmë Benjamin Netanyahun për shërbimin e tij ndaj kombit”.
Por, faqja e internetit e Parlamentit të Izraelit, Knesset, ka postuar një raport zyrtar me 96 për qind të votave të numëruara më 10 prill, që tregon se Likud dhe partitë e tjera të krahut të djathtë kanë fituar 65-67 vende në Parlamentin me 120 ulëse.
Asnjëherë asnjë parti nuk ka arritur të fitojë shumicën në Parlamentin e Izraelit dhe gjithmonë Qeveria është formuar përmes koalicioneve partiake.
Ndërkohë, disa parti të vogla nacionaliste që kanë premtuar mbështetje për Netanjahun, fituan mjaft vende për t’i garantuar Netanyahu një koalicion me një shumicë parlamentare.
Më herët më 10 prill, me rreth gjysmën e votave të numëruara, Netanyahu shpalli fitoren dhe i tha një turme të mbështetësve të tij se ata ishin përgjegjës për një “arritje pothuajse të paparashikueshme”.
Gjatë një fjalimi që ndërpritej nga brohoritjet e përkrahësve të tij, Netanyahu u zotua se do të krijojë një qeveri të krahut të djathtë.
“Do të jetë një qeveri e krahut të djathtë, por unë do të jem kryeministër për të gjithë. Unë jam shumë i prekur që populli i Izraelit më dha votën e besimit për herë të pestë dhe një votë edhe më të madhe të besimit se zgjedhjet e mëparshme”, tha Netanyahu.
Netanyahu zotohet se do të aneksojë Bregun Perëndimor nëse rizgjidhet kryeministër
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, do të konsultohet me liderët e secilës parti që përfaqësohet në Parlament dhe do të vendosë se kush beson që ka mundësi më së shumti për të formuar koalicionin qeverisës. Të nominuarit më pas kanë 42 ditë për të formuar Qeverinë, para se presidenti t’i kalojë rendin politikanit tjetër.
Nëse fiton edhe një mandat, Netanjahu, 69 vjeç, do të jetë kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë 71-vjeçare të Izraelit.